Kult

LETËRSIA E TURPIT/ Pseudonime e eros në letrat shqipe në një libër të Alda Bardhylit

Fatmira Nikolli – A është erotizmi që na o

Fatmira Nikolli – A është erotizmi që na ofrohet në librat që nuk mungojnë nëpër librari për këtë temë, erotizmi që na duhet? A kanë ato kahun drejt mendimit, kaq e ndjeshme në librat e Bataille, dhe kur ishte në kulmin e perversitetit, apo kërkojnë ta zhveshin njeriun prej mendimit? A është të parit e botës, përmes epshit si thelbi i ekzistencës së saj, si keqkuptimi i madh që po e kthen shekullin XXI në një kaos të përplasjeve të ideve apo qytetërimeve? Këto janë vetëm disa nga pyetjet që Alda Bardhyli studiuese e letërsisë; ngre në librin e saj “Letërsia e turpit” një udhëtim përmes esesh në letërsinë shqipe dhe atë bashkëkohore, për tu njohur me karaktere e ngjarje që dominojnë letërsinë sot.
PJESËZ
Identitete të fshehura
Pakkush e njeh Mary Evans, gruan me një jetë shpesh të trazuar në Londrën e pas viteve 1800- të. Gjithnjë e dashuruar me burrin e gabuar, Mary gjente paqe vetëm tek shkrimi. Me një trishtim të lehtë që i lexohet në fytyrë, dhe fustanet e gjatë të kohës, ne mund ta përfytyrojmë Mary Evans, kur për herë të parë hyri në kafenenë ku e priste George Henry Lews dhe i dorëzoi dorëshkrimin e saj të parë, sipër të cilit ishte shkruar emri George Eliot. Kritiku i njohur anglez me të cilën ajo do të kishte një histori të gjatë dashurie, do ta pranonte në heshtje faktin që ajo kishte zgjedhur emrin e një burri për të botuar novelën e parë. Nuk ka asnjë rresht në kujtimet e lëna nga Mary që ai t’i ketë kërkuar që ajo të shfaqë identitetin e saj të vërtetë, fshehur nën emrin e një burri. Kafenetë letrare në Londrën e atyre viteve zienin nga bisedat për George Eliot, me dëshirën që një ditë ai do të shfaqej pas mesnate në një prej tyre, ashtu i dehur nga vetmia që të jep shkrimi. Ata nuk mund ta mendonin se pas atyre shkrimeve ku përçohej një botë tjetër, qëndronte e holla Mary, që ashtu si një personazh libri do të hidhej pa e menduar në krahët e një djaloshi 20 vite më të ri, çka do të thoshte skandal në periudhën viktoriane. Përballë një shoqërie që kishte shfaqur shenjat e para të kundërshtimit të konservatorizmit, Mary, ashtu si shumë shkrimtare të tjera para saj kishin zgjedhur të fshiheshin nën emrin e një burri për t’i shfaqur shkrimet e tyre. Janë të shumta shkrimtaret femra që zgjodhën këtë mënyrë për të shkuar tek lexuesi, duke mohuar identitetin e tyre të vërtetë. Pavarësisht kësaj jete të fshehtë letrare, librat e tyre u kthyen në pamfletet e para që do të frymëzonin lëvizjet feministe, çka do t’i jepnin femrave më vonë të drejta që as mund të mendoheshin shekuj më parë.





Por, pseudonimet në letërsi apo «pen name», nuk janë përdorur vetëm nga autoret femra. Janë shumë autorë meshkuj që numërojnë disa pseudonime letrare. Janë një mori përgjigjesh që vetë autorët i kanë dhënë pyetjes se përse zgjedhin të shkruajnë me pseudonim? Një pyetje që ende shtrohet në revista të njohura letrare. Pjesën më të madhe të rasteve shpjegimet kanë pasur të bëjnë me atmosferën politike, apo përplasje idesh që mund të sillte shkrimi me emrin e vërtetë. Konteksti politik, i ka detyruar shkrimtarët që shpesh të mos dalin në shtyp me emrin e tyre të vërtetë. Vetë historia e letërsisë shqipe numëron dhjetëra raste shkrimtarësh që kanë zgjedhur të shkruajnë me pseudonime. Nuk është vetëm Migjeni (emri i vërtetë Millosh Gjergj Nikolla) apo Lasgushi (Llazar Gusho), Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) që zgjodhën të shkonin tek lexuesi përmes një identiteti tjetër letrar. Faik Konica ka pasur 29 pseudonime, Gjergj Fishta 26. Që nga Naum Veqilharxhi, Jeronim De Rada, ZefSerembe, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Ndre Mjeda, Çajupi, Asdreni, Petro Marko, Sterio Spasse, Esat Mekuli, Ramiz Kelmendi, Rexhep Qosja, Anton Pashku etj kanë botuar libra me pseudonim. Në shekullin e XXI , me ndryshimin e kontureve politike e kulturore, pseudonimet shfaqen gjithnjë e më rrallë. Interesante është studimi i pseudonimeve të zgjedhur nga një pjesë e madhe e shkrimtarëve që kanë jetuar dhe jetojnë sot jashtë Shqipërisë. Në kafene shpesh tregohet historia mes Çajupit dhe Naim Frashërit. Çajupi e kishte botuar një artikull studimor në gazetën “Shqipëria” të Bukureshtit; në gusht-nëntor 1898; ku ishte shprehur pa rezerva kundër pushtetit turk, ashtu siç nuk mund të shprehej një shkrimtar që jetonte brenda perandorisë. Kur Çajupi po më 1898 shkon të Stamboll dhe nga anija e lajmëron Naimin se do të takohet me të, ai i përgjigjet që të mos dalë nga anija, se do të shkojë vetë atje për ta takuar pasi ekzistonte rreziku ta arrestonin po të shkelte në tokë, për shkak të artikullit që kish botuar kohë më parë në Shqipëria. Sigurisht që kanë ndryshuar shumë gjëra nga koha kur Naimi i lutej Çajupit të mos zbriste nga anija, por shkrimi nën një identitet tjetër, vazhdon të jetë një grishje e ëmbël për shumë autorë, që zgjedhin t’i veshin vetes një emër tjetër. Psikologët do ta shpjegonin këtë me lirinë që të jep shpesh anonimati, apo me dëshirën për ti thënë të gjitha, si në një dhomë të errët pa dashur, që rrëfimi yt të jetë sërish aty, kur dritat të ndizen.

OPINIONE
“Libri që kemi në duar ka një intensitet informacionesh dhe interpretimesh, aq sa, pasi e ke lexuar, vë re si libri nuk paska 300 faqe,- siç ke menduar pasi e ke përfunduar së lexuari faqen e fundit të tij- por më pak se 100 faqe. Ky iluzion i vjen lexuesit nga shumëllojshmëria e trajtimeve dhe e interpretimeve – të mbeten në kujtesë për një kohë të gjatë sidomos analizat e librave të Italo Svevos, përkthimet e munguara të Follknerit, Petro Zheji, Robert Shvarc dhe modelet e reja të përkthimeve, eseja Një histori mungese- një ese për fatin e gruas në letërsi, që nga Penelopa apo Andromaka deri te Ana Karenina apo Lara e Zhivagos”,-thotë Rudolf Marku për librin e Bardhylit.

Libri i ardhur nga botimet UET PRESS është pjesë e kolanës ese, ide, debate, dhe shoqërohet me një parathënie nga shkrimtari dhe poeti Rudolf Marku dhe pasthënie nga shkrimtarja Diana Çuli.” Marku shkruan se duke lexuar këtë libër të Alda Bardhylit, nuk e di përse i erdhën ndërmend librat me ese kritike të Harold Bloomit dhe të James Wood- dy nga emrat më të shquar të kritikës letrare të kohërave tona. “Harold Bloom-i, në listën e vet të famshme të librave që ai rekomandon për studentët e universiteteve amerikane (Bloom’s Modern Critical Interpretation) –bashkon Këngë të Solomonit të Dhiatës së Vjetër me Ëhite Noise të postmodernistit Don De Lillo; The Great Gatsby-n me ‘I knoë ëhy the caged bird sings, të Maya Angeloë-t; Iliaden dhe Odisenë me On the Road, të shkrimtarit të Bit Generation Jack Kerouac. Këtë shprishje të piramidës së akademizmit kritik bën në librin e saj dhe Alda Bardhyli”, thotë ai. Për të, është ndër rastet e veçanta të kritikës letrare që shkruhet tek ne, kur studiuesi nuk impresionohet nga emrat e mëdhenj, për të përjashtuar autorët e tjerë. “Tek ne, tradita e ndalesës vetëm në një a dy stacione, hezitimi për të analizuar një vepër të mirë, që i përket një autori, emri i të cilit nuk është përfshirë në listën e fosilizuar të Pllakës Përkujtimore të Varrezave Kombëtare, – është traditë që vjen nga listat e dikurshme të bekuara nga soc-realizmi, i para ca viteve”, shkruan Rudolf Marku për këtë libër. “Duke lexuar edhe shkrimet e këtij libri më vjen ndërmend ideja e njohur se kritika letrare duhet të shkaktojë një ndjesi dashurie. Sepse, një poezi, një dramë, një roman na e rrëmbejnë imagjinatën në mënyra të drejtpërdrejta, por edhe të pashpjegueshme. Pasi kemi mbaruar një libër të mirë, nuk jemi më ata që kemi qenë përpara se ta lexonim atë. Alda Bardhyli nuk bën gjë tjetër veçse hap dyert e veprave të mëdha letrare dhe të ndajë me të tjerët atë ndjesi estetike që i ka shkaktuar cilësia e lartë e veprës që ka veçuar. Kjo është dhe intuita më e vërtetë e kritikës, që Aldës jo vetëm që nuk i mungon, por përkundrazi, di se si t’ua përçojë dhe lexuesit që i drejtohet”, shprehet Diana Çuli.

Për Markun, Alda Bardhyli ka guximin që t’ua drejtojë vëmendjen lexuesve te veprat e autorëve bashkëkohës shqiptar. “Pa asnjë kompleks inferioriteti dhe pa asnjë sens megallomanie. Në të gjithë librin e Alda Bardhylit gjejmë kalime të natyrshme referimesh nga letërsia bashkëkohëse botërore te letërsia bashkëkohëse shqipe, dhe anasjelltas. Letërsia e mirë nuk ka kufij kombëtarë, dhe aq më tepër, shtetërorë. Por qendra gravitacionale e kritikës mbetet letërsia bashkëkohorë e vendi tënd! Ose atyre librave që bashkohen me përvojat e letërsisë së vendit tënd ! Tek libri i Alda Bardhylit ka shumë referime të letërsisë tonë bashkëkohore- libra të cilat zakonisht injorohen prej kritikëve tanë, ose, në rastin më të mirë, përmenden me gjysmë zëri, nën hijen e përmendjeve me adhurim, të librave të autorëve të huaj. Bardhyli është e çliruar nga çdo kompleks inferioriteti. Është e çliruar nga kompleksi provincial, që thotë se çdo gjë e keqe fillon dhe mbaron në shtëpinë time, dhe jo në shtëpitë e botës. Alda Bardhyli nuk i thotë lexuesit, duke u përpjekur ta sugjestionojë atë, se kjo vepër është një vepër e madhe e letërsisë dhe ky autor është ndër më të njohurit në botë- çka është e modës te shumica e kritikëve letrarë. Ajo preferon të thotë pse një vepër është një vepër e rëndësishme në letërsi dhe pse një autor është një autor i njohur dhe i respektuar në botë”,- shkruan Marku.