Ndaj Agim Kajmakut është lëshur një urdhër-arresti. Gazeta Mapo mëson nga burime zyrtare se Kajmaku është kërkim, pasi prokuroria ka ngritur disa akuza ndaj tij.
Zyrtarisht Ministria e Brendshme dhe prokuroria nuk e kanë mohuar lëshimin e këtij urdhër-arresti. Gazeta Mapo tentoi të kontaktojë në telefon me Agim Kajmakun, por rezulton se ai ka fikur telefonin. Ditët e fundit ai mendohet se nuk ka qënë në Tiranë dhe janë ngritur dyshime për arratisjen e tij.
Policia ka ushtruar kontroll në banesën e Agim Kajmakut, por ai nuk është gjendur.
Ish-kryebashkiaku i Vorës u akuzua nga Partia Demokratike se kishte fshehur në formularin e Dekriminalizimit një dënim në Greqi, për falsifikim monedhash. Fillimisht Kajmaku i mohoi akuzat, por PD publikoi dokumentet e Gjykatës së Janinës, ku Agim Kajmaku ishte dënuar me emrin Jorgo Toto.
Pas akuzave të PD-së, prokuroria i kërkoi KQ-së heqjen e mandatit për Agim Kajmakun. KQZ e shkarkoi nga detyra dhe prej asaj dite Agim Kajmaku ka qëndruar i fshehur.
Urdhër-arresti ndaj kajmakut është firmosur në datën 8 nëntor dhe dyshohet se ai është informuar, prandaj ka vendosur të arratiset.
Etiketa: Agim Kajmaku, leshohet urdher arrest per Agim kajmakun