Kuriozitete

Legjenda e Romës takohet me vajzën që u zgjua nga koma pasi ia dëgjoi mesazhin

Ilenia Matilli, 19-vjeçarja që ka qenë në spital që nga muaji dhjetor pas një aksidenti të rëndë trafiku, është zgjuar nga koma, me ndihmën edhe të një video-mesazhi të legjendës së klubit të futbollit, Roma, Francesco Totti.

“Mbaju dhe mos u dorëzo”, kishte thënë 44-vjeçari në një video të cilën ia kishte dërguar Ilenias me kërkesë të prindërve të saj.

Pasi ia dëgjoi zërin, Ilenia dha shenja rikuperimi dhe shkroi në një tabelë speciale të zezë se dëshiron ta takojë idhullin e saj.

Totti dhe Ilenia tani kanë kaluar një orë bashkë, ka njoftuar spitali. Edhe pse ajo kishte luajtur në të kaluarën për klubin rival të Romës Lazion, Ilenia po bartte fanellën e Romës të nënshkruar nga Totti.

“Dua të të shoh teksa del nga spitali dhe t’i kthehesh jetës”, citohet të ketë thënë Totti, raporton Reuters.

Doktori Luca Padua, që udhëheq njësinë e rehabilitimit neurologjik në spitalin “Gemelli” në Romë, ka thënë se dëgjimi i muzikës, dhe zërave të tjerë ishin kyç në terapinë e Ilenias.

“Ka akoma kohë të gjatë përpara, por kemi besim”, ka thënë ai.

Ish-reprezentuesi i Italisë, Totti kaloi gjithë karrierën te Roma, duke luajtur më shumë se 600 ndeshje në Serie A, para pensionimit më 2017.

Image

Foto: Reuters