Lajme

Lefter Maliqi premton surprizë në zgjedhjet e 25 prillit në Qarkun e Beratit

2 vite deputet në Parlamentin pa Opozitë; Përfa

2 vite deputet në Parlamentin pa Opozitë; Përfaqësova opozitarët dhe socialistët e zhgënjyer; Shumë shpejt në bazë, për të zbuluar surprizën e rezultatit në qarkun Berat dhe për ti premtuar shqiptarëve qeverisjen e mirë pas 25 Prillit…

Të dashur miq!

2 vite më parë, pranova mandatin e dytë të deputetit, një vendim i vështirë në kushtet kur shumëkush e cilësoi si tradhti për Opozitën që braktisi Parlamentin duke djegur mandatet. Shumëkush më paragjykoi, dyshoi, sulmoi, kritikoi, për vendimin që edhe sot pas 20 muajve, do të bëja të njëjtën gjë.

Jam krenar për vendimin që mora, jo se i bëra karshillëk Opozitës, por sepse doja të isha zëri i saj dhe socialistëve të zhgënjyer në institucionin që maxhoranca e Rilindjes e kishte bërë territor të sajin. Doja të shpëtoja qoftë edhe përmes votës time, batërdinë që po bënte dhe bën akoma, qeveria që ka punuar dhe po punon kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Çdo ditë prej asaj dite, kam akuzuar, denoncuar dhe demaskaur keqqeverisjen rilindase, dhe kam qenë në sinkron të plotë me aksionin dhe kauzën e Opozitës së Bashkuar, edhe kur kjo e fundit doli në rrugë dhe protestoi, unë isha aty, mes qytetarëve në shesh.

Dikush duhet të sakrifikonte besimin e të tjerëve, për të shpëtuar atë pak hapësirë opozitare në Parlament, dhe këtë e mora unë përsipër. I kam kërkuar llogari Ministrave të qeverisë ‘Rama’, të cilët mbulonin dikasteret që unë i njoh mirë e i kam pjesë të karrierës time të gjatë, në polici, burgje e politikë.

Kam bërë disa interpelanca me Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, ku i kam demaskuar paaftësinë në krye të kësaj Ministrie, e që shpesh i kam kërkuar të largohet, dhe sot kjo ka ndodhur, ndoshta merita ime mund të jetë e papërfillshme në këtë drejtim, por kam vendosur dhe unë gurin tim në murin e lartë të Opozitës.

Kam bërë disa interpelanca me Ministren e Drejtësisë, ku kam denoncuar korrupsionin e lartë në të gjitha institucionet në varësi të saj.

Në këta 20 muaj të mandatit tim të dytë si deputet, kam përfaqësuar jo vetëm opozitarët, por edhe socialistët e zhgënjyer nga partia në pushtet që është shndërruar në Rilindje keqbërëse.

Me cilëndo forcë të rreshtohem më 25 Prill, do vazhdoj të përfaqësoj zërin e shqiptarëve, pa dallim ngjyre partiake, dhe do bëj maksimumin tim për ti shërbyer në të gjitha format e pushtetit që do më besohet dhe do më japin ata.

Beteja politike vazhdon, së shpejti në terren për ti premtuar shqiptarëve atë që meritojnë dhe për t’ja shpërblyer besimin me punë dhe përkushtim dinjitoz për të ardhmen e përbashkët evropiane.

*Deputet i Kuvendit të Shqipërisë


Etiketa: , ,