Kult

LEDIA DUSHKU: Si u krijua Banka Kombëtare Shqiptare më 1913-ën

Fatmira Nikolli – Të hënën në Tiranë u m

Fatmira Nikolli – Të hënën në Tiranë u mbajt konferenca shkencore: “Shqiptarët dhe ndërkombëtarët në vitet 1912-1926”. Instituti i Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri” sollën qasjet diplomatike ndaj shqiptarëve 100 vjet më parë. Në kumtesën e saj, historiania Ledia Dushku u ndal te tema “Pariteti austro-hungaro-italian dhe krijimi i Bankës Kombëtare Shqiptare”. Sipas Dushkut, që prej fundit të nëntorit 1912, kur Austro-Hungaria mori pëlqimin e Italisë për të ecur me ose pranë saj në çështjen shqiptare dhe garantoi mbështetjen pa kushte të Gjermanisë, krijimi i shtetit shqiptar u bë pjesë edhe e programit të rivlerësuar të Aleancës Trepalëshe. “Synimi i ministrit të Jashtëm habsburgas, kontit Berchtold për ta trajtuar shtetin shqiptar si një sipërmarrje thjesht austro-hungaro-italiane u bë boshti i konsultimeve intensive midis Vjenës e Romës. Në tërësinë e tyre bisedimet dhe më tej marrëveshjet dypalëshe u ngritën mbi principin e paritetit, ku Shqipëria preferohej të trajtohej si një affaire/çështje tërësisht dhe ekskluzivisht e ndarë midis Vjenës dhe Romës, si dy fuqitë që për shkak të pozitës gjeografike kishin interesa të drejtpërdrejta aty, duke synuar shmangien sa më shumë të ishte e mundur të ndërhyrjes nga fuqi të treta. Moment kulmor i marrëdhënies paritare austro-hungaro-italiane është Marrëveshja e Fshehtë e nënshkruar në Romë, më 8 maj 1913”, tha ajo.
Ajo vuri në dukje se Austro-Hungaria dhe Italia vepruan të zbatonin politikën e tyre paritare, sidomos në fushën ekonomike. Qeveria e Përkohshme e Vlorës gjithnjë e më shumë ndjeu presionin e Fuqive të Adriatikut dhe, e përvijoi politikën e saj ekonomike nën ndikimin dhe trysninë e dy fuqive “protektore”, sikurse cilësoheshin ato prej kryetarit të qeverisë, Ismail Qemal Vlorës.





KRIJIMI I BANKËS
Dushku tha se pjesë e paritetit ekonomik midis Austro-Hungarisë dhe Italisë ishte edhe krijimi i Bankës Kombëtare Shqiptare. “Që në maj 1913, palët kishin diskutuar themelimin e një konsorciumi financiar me kontribute financiare e njerëzore të barabarta, që do të kishte në ngarkim financimin e të gjitha ndërmarrjeve në Shqipëri, konkretisht themelimin e bankave, ndërtimin e rrugëve, të hekurudhave etj. Në lidhje me krijimin e institucionit qendror financiar, në rrethet politike dhe ekonomike shqiptare u shfaq edhe mendimi për krijimin e bankës kombëtare me kapitale shqiptare, të cilat mendohej se ekzistonin në vend dhe në diasporë. ‘Po të donte qeveria, shprehej gazeta Shqypnia e Re, që të formonte një bankë serioze dhe të vlefshme, atëherë le të ftonte kapitalistët tanë në një kongres financiar dhe kështu banka mund të themelohej për fitim të kombit dhe me pëlqimin të të gjithë shqiptarëve”, – tha Dushku.
Në vijim historiania tregoi se themelimi i Bankës Kombëtare u realizua para se Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit të mbërrinte në Vlorë. Ai mbështetej në marrëveshjen koncesionare të datës 4 tetor 1913, midis Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe përfaqësuesve të Wiener Bank Verein dhe të Banca Comerciale d’Italia. “Koncesioni jepej në përputhje me vendimin e Qeverisë së Përkohshme, të datës 2 tetor 1913 dhe kohëzgjatja e tij ishte 60-vjeçare. Kontrata mori vlerë të plotë ligjore pas ratifikimit nga grupi bankar austro-italian dhe publikimit.

“Sipas marrëveshjes, kapitali i bankës do të ishte 10.000.000 korona, i konvertuar në 10.500.000 lira dhe duhet të paguhej vetëm ashtu siç do të kërkohej prej bankës. Ky kapital do të ishte në monedha ari dhe mund të shtohej me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Aksionarëve (neni 2). Selia qendrore e bankës do të vendosej në kryeqytetin e Shqipërisë dhe në përputhje me nevojat mund të hapeshin degë dhe filiale si brenda, ashtu edhe jashtë vendit (neni 3). Sipas nenit 4, institucioni më i lartë drejtues i Bankës Kombëtare Shqiptare ishte Këshilli Administrativ, i përbërë nga një numër i barabartë përfaqësuesish të dy grupeve financiare dhe prej ‘elementësh shqiptarë’. Por, vlera e këtij neni karshi ‘elementëve shqiptarë’ kufizohej dukshëm nga klauzolat e paragrafëve 2 dhe 4 të tij. Aty përcaktohej se këshilli i parë administrativ krijohej vetëm nga dy grupet themeluese austro-italiane, ndërsa emërimet dhe rinovimet e administratorëve shqiptarë do të bëheshin nga Asambleja e Përgjithshme e Aksionarëve, sipas një liste të vendosur në marrëveshje midis qeverisë shqiptare dhe këshillit administrativ të bankës. Qeveria shqiptare nuk vendoste dot në listë kandidaturat e saj, pa rënë më parë në marrëveshje me përfaqësuesit austro-italianë të dy grupeve financiare”, vërejti Dushku në fjalën e saj.

Ajo vuri ne dukje se Këshilli Administrativ kishte nën varësi një komitet, i cili përbëhej nga dy ose katër anëtarë prej grupit financiar austro-hungarez dhe atij italian dhe se pjesë e tij nuk ishte asnjë përfaqësues shqiptar. “Administrimi dhe veprimtaria e bankës kryheshin sipas ligjeve të shtetit shqiptar (neni 5). Vetëm pas një marrëveshjeje paraprake me Këshillin Administrativ, qeveria shqiptare kishte të drejtë të emëronte një komisar të lartë, i cili do të kontrollonte lëshimin e kartëmonedhave bankare dhe do të vëzhgonte me rreptësi zbatimin e dispozitave të statuteve dhe rregulloreve që i referoheshin procedurave të lëshimit të tyre. Por, komisari i lartë nuk kishte të drejtë të përzihej në administrimin dhe drejtimin e punëve të bankës (neni 6). Banka emetonte monedha, kujdesej për qarkullimin e tyre, blinte metale me vlerë dhe ishte i vetmi agjent financiar i qeverisë, si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë (neni 7)”, tha Dushku.
Pavarësisht ndërhyrjes së kryetarit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës për të forcuar elementin shqiptar brenda bankës, neni 11 përcaktonte që grupi austro-italian kishte “të drejtën e preferencës për të gjitha koncesionet që do të japë shteti, si edhe për të gjitha punët e ndërtimeve dhe të gjitha furnizimet për rezervat e shtetit”. Në këtë mënyrë, ai kishte një monopol faktik në të gjitha ndërmarrjet financiare dhe industriale në Shqipëri. Ismail Qemal Vlora ndërhyri edhe në përmbajtjen e nenit 21, duke ia dalë të siguronte të drejtën e kontestimit. Sipas shtesës bërë prej tij, në rast kontestimi mbi klauzolat e koncesionit ose të procedurave gjyqësore, që mund të shfaqeshin midis qeverisë shqiptare dhe bankës, lidhur me zbatimin e statuteve ose për arsye të punës sociale, marrëveshja i nënshtrohej Gjykatës Federale të Lozanës, pa mundësi apelimi a rekursi.

Dushku gjatë kumtesës së saj, vërejti se Banka Kombëtare nuk zhvilloi ndonjë veprimtari të mirëfilltë financiare. “I vetmi veprim i saj u krye në datën 6 tetor 1913, pra vetëm dy ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes koncesionare. Bëhet fjalë për një depozitë prej 545.283 groshësh (rreth 4.000 sterlina) të bërë nga ana e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës pranë ‘Sindikatës së Bankës Kombëtare të Shqipërisë-Zyra e Thesarit’. Nga shuma e përgjithshme, 257.000 grosh u tërhoqën nga banka me tre këste, pjesa tjetër prej 288.000 groshësh, mbeti e depozituar në degën e Thesarit. Sipas Haxhi Shkozës, inspektor financiar në Oborrin e Mbretit Zog I, kjo shumë rezulton të ketë qenë e pandryshueshme deri në qershorin e vitit 1914″, tha historiania Ledia Dushku. Ajo shtoi se më tej, dokumentacioni mungon, çka e bën të pamundur prognozën mbi fatin e shumës së depozituar.

DEBATET PËR BANKËN KOMBËTARE SHQIPTARE
“Me nisjen e punimeve të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në Vlorë, debati u shtri edhe në radhët e Të Mëdhenjve, fillimisht në lidhje me vlefshmërinë e aktit koncensionar dhe më pas me vlerësimin e kontratës për krijimin e bankës. Në diskutimet e tyre, anëtari francez, rus e britanik të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit mbrojtën pikëpamjen se Qeveria e Përkohshme e Vlorës kishte shkelur vendimin e Konferencës së Ambasadorëve, sipas të cilit Shqipëria duhej të qeverisej në mënyrë unike nga të gjashtë Fuqitë e Mëdha. Ajo nuk kishte të drejtë të jepte koncesione përfundimtare për një periudhë të gjatë kohore që angazhonin të ardhmen ekonomike të gjithë Shqipërisë, nën arsyetimin se autoriteti i saj qeverisës nuk e mbulonte të gjithë njësinë territoriale të shtetit shqiptar”, tha Dushku. Kjo e drejtë i përkiste Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, i cili ishte i vetmi organ i rregullt administrativ, që pasi analizonte avantazhet e koncesionit, mund ta akordonte ose jo atë. Sipas Dushkut, mbi këtë kriter, koncesioni i Bankës Kombëtare u vlerësua nga përfaqësuesit e Antantës, si i njëanshëm dhe tepër i shtrenjtë për financat e dobëta shqiptare. “I këtij mendimi, ndonëse nuk e artikulonte hapur në rrugë diplomatike, ishte edhe Gjermania. Sekretari gjerman i Shtetit për Punët e Jashtme në letrën private dërguar ambasadorit në Vjenë, shprehej se “Banka Shqiptare, ndonëse në një formë pak të fshehur, nuk ka tjetër kuptim veçse atë të një monopoli italo-austriak dhe në këtë mënyrë kundërshton parimin për të cilin neve jemi përpjekur kudo, d.m.th parimin e derës së hapur’. Çështja e krijimit të Bankës Kombëtare Shqiptare, krahas Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, u trajtua edhe në kancelaritë ndërkombëtare përkatëse”, tha Dushku. Historiania shtoi se Fuqitë e Mëdha, përveç Austro-Hungarisë dhe Italisë, ndonëse njihnin krijimin e institucionit, kërkonin “ndërkombëtarizimin” e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e cila duhej të ishte një investim i përbashkët dhe i barabartë i të gjitha Fuqive të Mëdha dhe jo vetëm i dy prej tyre.

Ndërkaq, sipas hulumtimit të Dushkut në dokumente, pozicioni i veçantë i dy Fuqive të Adriatikut kishte të bënte me zotërimin e 60% të kapitalit të bankës, ndërsa 40% i mbetur do të duhej të ndahej në mënyrë të barabartë mes katër Fuqive të tjera të Mëdha. Tërheqja, ndonëse jo tërësore, ndodhi në kushtet e presionit francez dhe rus, të cilët kushtëzuan dhënien e huas për princin Wilhelm Wied me çështjen e Bankës Kombëtare Shqiptare. Në mënyrë të përsëritur, që prej dhjetorit 1913, ata kishin deklaruar se do të merrnin pjesë në garantimin e huas shqiptare, vetëm nëse “Banka Kombëtare do të ndërkombëtarizohej dhe Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit do të merrte në dorë organizimin administrativ e financiar të Shqipërisë dhe do të ushtronte kontrollin e huas”. Në këtë mënyrë, shtoi Dushku, garantimi i huas nga të gjashtë Fuqitë e Mëdha u lidh ngushtësisht me çështjen e ndërkombëtarizimit të Bankës Kombëtare Shqiptare, rregullimi i të cilave, me të drejtë konsiderohej nga qeveria britanike si një nga mjetet më të përshtatshme për të forcuar pozitën e Princit dhe për të bërë të mundur një administrim të efektshëm të shtetit shqiptar.

Historiania tha se në kushtet e mosarritjes së konsensusit për përqindje të barabartë mes Fuqive të Mëdha në aspektin e investimit financiar të bankës, diskutimet u përqendruan në arritjen e konsensusit për ekipin drejtues dhe administrues të bankës. “Fuqitë e Adriatikut u tërhoqën dhe tashmë nuk bëhej fjalë më vetëm për pjesëmarrje paritare austro-hungareze dhe italiane, sikurse parashikohej në marrëveshjen koncesionare të tetorit 1913, por për një shpërndarje postesh mes të gjitha Fuqive të Mëdha. Një post që u diskutua gjatë ishte ai i guvernatorit të bankës. Fuqitë e Antantës në unison kërkuan që guvernatori të ishte britanik, ndërkohë që Austro-Hungaria nguli këmbë që ai të ishte austriak ose hungarez. Debatet e zgjatura vijuan deri në korrik 1914, pa arritur një kompromis tërësor mbi çështje të ndryshme që kishin të bënin me Bankën Kombëtare Shqiptare. Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore e la atë peng të rivalitetit mes Fuqive të Mëdha”, – tha mes të tjerash, Ledia Dushku në kumtesën e saj.