Lajme

LDK paralajmëron kandidatura të reja për kryetar

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se mund të ketë edhe kandidatë të tjerë për kryetar, raporton Gazeta Express.

Përmes një njoftimi LDK ka thënë se në ditët në vijim mund të ketë kandidatura të reja, teksa ka konfirmuar tre prej tyre, Anton Quni, Lumir Abdixhiku dhe Lutfi Haziri.

“Dëshirojmë ta njoftojmë anëtarësinë e LDK-së, se deri më tani kanë paralajmëruar kandidaturat për kryetar të LDK-së, z. Anton Quni, nënkryetar i LDK-së dhe kryetar i degës së LDK-së në Prizren, z. Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, kryetar i komunës së Gjilanit dhe i degës së LDK-së në Gjilan dhe z. Lumir Abdixhiku, anëtar i Kryesisë së LDK-së. Në ditët në vijim priten paralajmërime edhe të kandidatëve tjerë”, thuhet në njoftim.

Anton Quni ishte i pari që e shpalli kandidaturën për kryetar të LDK-së. Këtë tha se ua kishte bërë të ditur edhe bashkëpartiakëve në mbledhjen e Kryesisë një ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, ku Isa Mustafa i kishte njoftuar ata se s’do të jetë më kryetar, duke marrë një pjesë të përgjegjësisë për humbjen më të madhe në historinë e partisë më të vjetër në vend. Quni tha të martën për Express se paraprakisht ka marrë mbështetje të konsiderueshme në këtë garë nga anëtarët tjerë të partisë.

“Kam pasë biseda me anëtarë të Kryesisë, me delegatë të Kuvendit dhe është një numër i konsiderueshëm i tyre që më mbështesin”, tha Quni.

Krahas tij, të hënën në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së në të cilën mori pjesë edhe Quni, u konfirmuan edhe kandidaturat e Lutfi Hazirit dhe Lumir Abdixhikut. Në komunikatën zyrtare të LDK-së, përmenden vetëm këta dy të fundit si kandidatë, ndërsa thuhet se “ka edhe kandidatura tjera, që mund paraqiten ditëve në vijim”.