Lajme

Latifi, komunës së Prishtinës: Nuk e ndërtuat një shtatore të Adem Jasharit, bëtë muze në emër të armikut

Gjatë ditës së djeshme, Komuna e Prishtinës njoftoi se kryetari, Shpend Ahmeti, ka nënshkruar memorandum të bashkëpunimit me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) lidhur me realizimin e projektit të restaurimit të Hamamit të Madh në Prishtinë.

Lidhur me këtë projekt ka reaguar edhe profesori universitar, Blerim Latifi, duke thënë se Komuna e Prishtinës nuk ka pasur asnjëherë para për të ngritur një shtatore të Adem Jasharit në kryeqytetin e Kosovës. E që tani gërmadhën e hamamit osman të Prishtinës e shndërron në Muze të Sulltan Mehmetit II, armikut numër një të Skënderbeut.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se projekti me vlerë totale mbi 1 milion euro, do të financohet 49.35% nga ana e Komunës e 50.65% nga ana e TIKA-s.

“Punët e Konservim-Restaurimit do të realizohen duke u respektuar Ligji i Trashëgimisë Kulturore dhe aktet tjera ligjore e nënligjore të Republikës së Kosovës në fushën respektive”, thuhet në njoftimin e komunës.