Kult

Lamtumirë Koço Devole, i biri: Dua të besoj se nuk i mungoi gjë në spital

Fatmira Nikolli – Ishte një baba i mrekullueshë

Fatmira Nikolli – Ishte një baba i mrekullueshëm, një bashkëshort i devotshëm dhe një gjysh i dashur. Iku dhe la pas një boshllëk të madh. Dua të besoj që babait nuk i mungoi kujdesi në spital. Kemi folur me të deri ditën ku u vu në intubim”. Me një kostum të zi, me hapat e pasigurt, i prekur dhe i ndrojtur, Genci Devole zbret shkallët e agjencisë funerale dhe vjen para gazetarëve. Kanë qenë për të tri javë të vështira. Me babain që vuante nga leucemia, infektimi me COVID-19 ishte për të një goditje e madhe. Pas dy javëve të para, Koço Devole kish ngulmuar të dilte nga spitali. Tamponi e tregoi të negativizuar, çka shtoi këmbënguljen e tij për të lënë dhomën e spitalit dhe për të gjetur qetësinë në shtëpi, ndonëse mjekët kishin këmbëngulur që ai të mos ikte. Me t’u kthyer në shtëpi, Devole përkeqësohet. Pasojat e COVID-it në trupin e tij të ndjeshëm për shkak të leucemisë ishin fatale. Rikthimi në spital për aktorin kishte qenë jo i lehtë. Vetë dalja, duket se i kishte dhënë shpresa, ndërsa ai kështu kishte dashur t’i jepte vetes forcë se e keqja kaloi. Mandej, spitali u bë streha e luftës.
“Ne flisnim me babain çdo ditë në telefon derisa u fut në intubim. Nga bisedat me miqtë e tij dhe nga ato me mjekët, dimë që ka marrë gjithë kujdesin e duhur. Dhe në fakt unë këtë dua të besoj. Dua të besoj se nuk i mungoi asgjë”, – thotë i biri para agjencisë funerale ku i ati është i pajetë, duke marrë nderimet e miqve dhe atyre që e deshën. Koço Devole do të ndahej nga jeta të dielën në mëngjes, pas tri javësh në spital dhe një vëmendjeje të madhe mediatike. Miqtë i kishte pasur gjithnjë pas derës së spitalit dhe nëpër telefona, ku siguroheshin që për të po bëhej çdo gjë. Megjithëkëtë, të sëmurët nëpër ambulanca, shtretërit e munguar në Spitalin Infektiv, vonesa e tamponëve, kostot e kurimit dhe debatet pozitë-opozitë, shtuan zërat dhe frikën se dalja nga spitali e Koço Devoles, që çoi në përkeqësim, mund të ketë të bëjë me mungesën e shtretërve. I biri nuk ka një përgjigje, por shton se i ati kishte këmbëngulur të dilte edhe pse mjekët nuk kishin qenë dakord. Në fund, ai thotë se ka dëshirë të besojë se babait nuk i ka munguar asgjë.
Genci Devole ngjan si dy pika uji me babanë artist. Portreti me fytyrën e gjerë, mollëzat e mbushura, sytë plot dritë e shpesh kujdesi për të mos lënduar, janë tipare të tjera të trashëguara. Devole i ri, ndryshe nga Devole i ndjerë, ka veç drojë se nuk është në lartësinë e duhur të babait, megjithëse, lartësia e duhur është krejtësisht relative në raportet familjare, dhe matet veçse me dashurinë që ka marrë, dhe kjo, Gencit nuk i ka munguar.
NË KUJTIMET E MIQVE
Pas tri orësh nderime në një agjenci funerale, me duartrokitje dhe një ecje të fundit në vendet ku punoi e jetoi, Koço Devole u përcoll për në banesën e fundit. I biri foli për një boshllëk të madh që la pas, ndërsa kolegët vunë në dukje varfërinë në të cilën jetoi.
“Është një humbje e madhe për ne si miq. Unë kam mësuar shumë prej tij, se ishte aktor, regjisor e skenarist. Do të doja që njerëzit të dilnin në rrugë ta duartrokisnin, sepse ai, këtë shprehte, që je artist nëse të nderojnë kur nuk je më në skenë. Mua më vjen keq që iku në këtë kohë. Është një ikje në heshtje për të. Koço ishte i vetmi aktor papioni, aktor aristokrat”, – u shpreh Agron Llakaj, miku i tij i hershëm.
Edhe për regjisorin Leka Bungo, ikja e Devoles lë pas trishtim e dhimbje. “Më vjen veçanërisht keq që sot i mungojnë duartrokitjet e lozhave, që dikur ishin me mijëra për të”, – tha Bungo.
Kolegu tjetër i tij, Xhevahir Zeneli u shpreh se ikja e Devoles ka lënë pas një boshllëk të madh. “Ai ishte artist i madh. Po, sot ngushëllojnë të gjithë, ngushëllojnë edhe politikanët, ata që sikur mezi presin raste të tilla, të ngushëllojnë”. Kur pyetet për atë që ndodhi me filmin e tyre, kur Devole luajti rolin e shokut Sillo, Zeneli kujton: “Është e vërtetë ajo që thuhej për Sillon. Ishte një film që u xhirua menjëherë pas rënies së regjimit komunist dhe ardhjes së demokracisë. Edhe frikë kishim, por as letrat kërcënuese nuk munguan. Megjithatë, ishte koha e tillë. Dikujt i preu krahun e djathtë e dikujt i preu krahun e majtë, ikja e Devoles na gjymtoi ne artistëve. Artistët të trajtohen sa janë gjallë”, – tha Zeneli. Me idenë e mosrespektimit në të gjallë, e qurravitjes në të vdekur, edhe moderatori Saimir Kodra pati një deklaratë. “Një artist si Koço pa shtëpi, nuk na nderon. Nuk do komprometohej nga askush nëse një bashki a një grup do i jepnin një shtëpi, se të jetojë gjithë ai artist në shtëpi me qira, paçin faqen e zezë”, – tha Kodra. Aktori, regjisori e skenaristi Koço Devole u shua në moshën 75-vjeçare. Kortezhi me trupin e pajetë ka kaluar edhe një herë në vendet ku ai jetoi e punoi, nga Radiotelevizioni Shqiptar në Kombinat, për t’u prehur në Sharrë. Me një sërë rolesh filmike e pjesë humoristike, ai cilësohej si një prej aktorëve më të mirë në vend.





Reklamo bizensin tuaj ketu