Lajme

Lajçak: Jam kundër reciprocitetit që krijon barriera të reja

Përfaqësuesi i BE’së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajcak, ka thënë se është kundër atij lloji të reciprociteti që do të krijonte pengesa të reja në mes të palëve dhe që do të vështirësonte qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.

Kështu është përgjigjur Lajçak i pyetur rreth paralajmërimit të Qeverisë Kurti për rivendosjen e reciprocietetit ndaj Serbisë.

Lajçak thotë se në të kaluarën janë vendosur taksa dhe askush s’ka përfituar nga një lëvizje e tillë. Ai ka thënë se është pro reciprocitetit që nënkupton largim të barrierave mes shteteve dhe jo të kundërtën.

“Sa i përket reciprocitetit, unë e kam marrë më shumë si një detaj elektoral.  E kemi parë kur janë vendosur taksat, kush ka përfituar nga ajo?- askush. Jam pro reciprocitetit nëse ai nënkupton heqje të barrierave dhe jo krijim të pengesave të reja në mes të palëve”, është shprehur Lajçak.