Lajme

Kushtetuesja ende pa vendim lidhur me votimin e deputetit Arifi për Qeverinë Hoti

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka bërë të ditur se ende nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe votimit të deputetit Etem Arifi në seancën ku u votua për Qeverinë Hoti.

“Gjykata nuk ka marrë ende një vendim lidhur me këtë kërkesë dhe lënda është duke u shqyrtuar. Si në çdo rast deri më tani, sapo Gjykata të marrë një vendim, për këtë do të njoftohen me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Po ashtu gjykata ka hedhur poshtë edhe disa raportime të cilat janë bërë dje në disa media, ku thuhej se ka gjasa që Kushtetuesja ta kthej në pikën zero zgjedhjen e Qeverisë Hoti, pasi që deputeti Etem Arifi ishte i dënuar.

“Raportimet e djeshme në media përkitazi me këtë rast janë të pasakta dhe nuk qëndrojnë”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje më 11 qershor kishte dorëzuar këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese.

Nga LVV-ja patën thënë se deputeti Arifi është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë, e rrjedhimisht, sipas tyre votimi i tij në seancë është ndesh me Kushtetutën.