Besnik Muçi u emërua nga Ilir Meta si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, por sakaq ai vazhdon betejën për të kaluar vettingun. Muçi u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), por më pas u padit nga Komisioneri Publik në hallkën e dytë të vettingut, që është Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA).
Komisioneri Publik kërkon shkarkimin nga detyra të ish-prokurorit të Krimeve të Rënda me argumentet se ka probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës.
Kush po i hap probleme Muçit?
Është Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) që varet direkt nga Kryeministri që ka nxjerr një dokument kundër Besnik Muçit. Sipas DSIK, anëtari i Kushtetueses ka patur kontakte me një biznesmen, i cili rezulton me probleme ligjore. Bëhet fjalë për biznesmenin Armand Lilo. Sipas raportit të DSIK, Muçi i detyrohet 21 mijë euro Lilos, tek i cili ka blerë një banesë.
Gjatë mbrojtjes së tij në KPK, Besnik Muçi ka deklaruar se “Lilo është taksapaguesi më i madh i Bashkisë së Tiranës dhe një ndër punëdhënësit më të mëdhenj”. Muçi tha se nuk ka konflikt interesi, pasi nuk e ka hetuar asnjëherë Lilon dhe se nuk kishte dijeni se ai kishte probleme me ligjin.
Kush është biznesmeni Lilo?
Emri i tij u përmend dy vite më parë kur u arrestua Orest Sota me 863 mijë euro në makinë. Ish-Kryeministri Berisha shkruante se makina “Rang Rover” me targë AA718OS me të cilën lëvizte Sota ishte e biznesmenit Armand Lilo.
“Te dashur miq, gazetari investigativ ka gjetur pronarin e makines, me te cilen udhetonte Orest Sota, qe u ndalua nga policia ne Elbasan duke patur ne makine miliona euro, dy patenta te Sajmir Trafikut dhe Florian Habilajn, shoferin e Saimirit, te cilet u larguan me mbrojtjen e policise duke marre me vehte seicili nga dy çanta te medha plote euro. Pronari i makines se krimit ishte ndertuesi i klienteles qeveritare, Armand Lilo, me precedent plagosjen e djalit te pronarit ku ai po nderton etj”, shkruante Berisha.
Kompleksi tek “Parku i Autobusave”
Armand Lilo është pronari i kompanisë “Arlis-Ndertimi” shpk që ka ndërtuar kompleksin tek ish-Parku i Autobusëve në Tiranë. Kur filloi ndërtimi i këtij kompleksi në 2017 banorët protestuan pasi po prishej lulishtja. Me këtë rast nisi edhe një betejë deklaratash mes ndërtuesit dhe kryetarit të opozitës.
Lilo tha se lejen e ndërtimit e kishte marrë në kohën kur Basha ka qenë kryetar bashkie dhe për këtë kishte paguar taraf tek kunati i Bashës, Erion Isufi. PD u përgjigj se këto shpifje janë të nxitura nga kryetari aktual i Bashkisë, Veliaj i cili mbështeste ndërtuesin.
Por protestat dhe akuzat dështuan, pasi kompleksi i pallateve u ndërtua duke zënë kështu edhe një hapësirë të gjelbërt të Tiranës.
/Mapo.al
Etiketa: anëtar, Armand Lilo, Besnik Muçi, Gjykata, Kushtetuese, Meta, ndertues, Prokuror