24 orë+ Lajme

Kush mund të jetë pasardhësi i Isa Mustafës në LDK

Isa Mustafa ka hequr dorë nga drejtimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas më shumë se dhjetë vjetësh në këtë pozitë. Dorëheqja e tij erdhi pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, ku LDK pësoi humbjen më të thellë në historinë e saj. Në krye të kësaj partie do të vije dikush tjetër, brenda pak javësh. Analistët e çështjeve politike kanë deklaruar për Express se kushdo që do të jetë shefi i ri i LDK’së, do ta ketë të vështirë ringjalljen e kësaj partie

Pas dorëheqjes së kryetarit, statuti i LDK’së përcakton se në afat brenda 60 ditësh, duhet të thirret Kuvendi i partisë, për të zgjedhur kryetarin e ri.

Megjithëkëtë, Mustafa tha se zgjedhja e kryetarit të ri do të bëhet në më pak se 60 ditë.

Disa prej emrave që janë përmendur si të denjë për të marrë pozitën më të rëndësishme në LDK janë Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Kujtim Shala e Anton Quni.

Nga emrat e përmendur, vetëm Lutfi Haziri ka deklaruar se është i gatshëm t’i futet garës për kryetar të LDK’së.

Por, kush duhet të jetë emri që duhet të marrë “aminin” e partisë për të qenë shefi i ri i LDK’së?

Profesori i Filozofisë Politike, Blerim Latifi, ka deklaruar për Gazetën Express se ringritja e LDK’së pas katastrofës elektorale që pësoi në zgjedhje, mund të bëhet vetëm përmes gjetjes së një lidershipi që ka gatishmërinë për t’u përballur me vështirësitë e kësaj ringritjeje.

“Se kush do të jetë kryetar i ri i LDK’së, këtë sigurisht duhet dhe do ta vendosë vetë LDK. Një gjë që është e qartë, është se ringritja e LDK’së pas katastrofës elektorale që pësoi në zgjedhjet e 14 shkurtit, mund të bëhet vetëm përmes gjetjes së një lidershipi të ri i cili beson në vizionin për një LDK të re, që ka gatishmërinë për t’u përballur me vështirësitë e ringritjes dhe shndërrimin e LDK’së në forcë politike që është në gjendje të ofrojë alternativa të besueshme dhe atraktive politike në skenën politike kosovare”, ka deklaruar Latifi.

Ndër emrat e përfolur deri më tani, Latifi ka zgjedhur kryetarin aktual të Gjilanit, Lutfi Hazirin, si emrin më adekuat për të drejtuar LDK’në.

“Natyrisht, LDK’së nuk i mungojnë njerëzit që mund të vihen në krye të punëve dhe njëri prej tyre është Lutfi Haziri”, tha Latifi.

Ndryshe nga Latifi mendon analisti politik Imer Mushkolaj.

Për Mushkolajn, edhe emri më i pëlqyer në LDK, do ta ketë të vështirë vendosjen në pozitë të mirë të kësaj partie.

“Është problem të përmenden emra. Për LDK’në është më e rëndësishme të organizojë zgjedhje transparente në të gjitha strukturat, sesa ta zgjedhë një kryetar shpejt e shpejt, që e konsideroj se do të ishte improvizim. LDK gjendet në një pozitë aq të vështirë, saqë edhe emri më i pëlqyer prej votuesve që do të bëhej kryetar, nuk do ta vendosë në pozitë të mirë edhe për disa vjet”, ka deklaruar Mushkolaj.

Mushkolaj thotë se LDK’ja nuk duhet të reflektojë vetëm për rezultatin e dobët në zgjedhjet e 14 shkurtit, por për siç e quan ai, keqmenazhimin e partisë në dhjetë vjetët e fundit.

“Zgjedhja e kryetarit nuk do duhej të ishte vetëm reflektim për rezultatin e zgjedhjeve, por do duhej të ishte shumë më shumë se kaq. Në radhë të parë, marrje e përgjegjësisë së grupit rreth Isa Mustafës, i cili në dekadën e fundit, me mënyrën që e ka menaxhuar partinë dhe mosrespektin e tjetërsimin e elektoratit të LDK’së, e kanë sjellë LDK’në në këtë situatë katastrofale”, ka thënë Mushkolaj për Express.

Mushkolaj deklaroi se nuk pret ringjallje të shpejtë të LDK’së.

“Pavarësisht se kush zgjedhet kryetar i LDK’së, nuk pres ringjallje të shpejt të partisë, mund të ndodhë ngritje shkallë-shkallë brenda disa vjetësh”, ka thënë Mushkolaj.

Ndërkaq, sociologu Visar Ymeri ka deklaruar për Express se një ndër veçoritë që duhet t’i ketë kryetarja apo kryetari i ri i LDK’së, duhet të jetë qëndrueshmëria politike e ideologjike që ta definojë qartë jo atë që LDK ka është dhe ka qenë, por atë që duhet të jetë.

“Kryetarja ose kryetari i ri i LDK-së duhet t’i ketë 3 veçori kryesore: Ta ketë karizmën e nevojshme e integritetin personal në mënyrë që të komandojë kredibilitet e simpati te qytetarët/elektorati, por edhe ta ketë mundësinë e frymëzimit të votuesve të rinj”

“Ta ketë fuqinë e autoritetin që të nis e përfundojë një proces të vështirë të strukturimit e reformimit të partisë për t’iu përshtatur kohës e rrethanave në të cilat vepron LDK sot.”

“Ta ketë qartësinë e qëndrueshmërinë politike e ideologjike në mënyrë që ta definojë qartë jo atë çka LDK është e çka ka qenë, por atë që duhet të jetë – një parti e qendrës së djathtë që promovon integritetin shtetëror e institucional dhe vlerat e demokracisë”, ka deklaruar Ymeri.

Ndërkaq, i pyetur për emrat e përmendur si adekuatë për t’i hyrë garës për të parin e LDK’së, Ymeri tha se pasi nuk e njeh mirë strukturën e kësaj partie, është i kufizuar vetëm në tre emra.

“Duke mos u njohur mirë strukturën e LDK-së dhe duke qenë njëkohësisht i kufizuar vetëm në figurat publike, në mendje më vijnë vetëm 3 emra: Lumir Abdixhiku, Kujtim Shala, Arben Gashi. Prapë po e përsëris që duke mos i njohur mirë njerëzit brenda LDK jam i kufizuar në këtë vështrim timin, sidomos ndaj grave”, ka deklaruar Ymeri.

Ymeri deklaroi se LDK duhet të ketë vëmendje të shtuar në përfshirjen shumë më të madhe të grave në vendimmarrje.

Ai po ashtu thotë se më e rëndësishmja për LDK’në është shkëputja nga e kaluara, që po i ndëshkon elektoralisht.

“Unë mendoj që LDK në procesin e strukturimit të vet duhet ta ketë një vëmendje të shtuar te përfshirja shumë më e madhe e grave në vendimmarrje, dhe në anën tjetër të jetë shumë më e vëmendshme e më aktive e agjile në komunikimin me publikun. Por gjëja më e rëndësishme për LDK dhe udhëheqësinë potencialisht të re të saj është mënyra se si e bëjnë shkëputjen nga e kaluara që po i ndëshkon elektoralisht dhe sa do të jenë të suksesshëm që t’a bindin elekotratin se tash e tutje vërtetë do të jenë ndryshe”, ka deklaruar Ymeri.

Çka thotë statuti i LDK’së për dorëheqjen e kryetarit dhe zgjedhjet e brendshme?

Neni 27 në statutin e LDK-së thotë se kryetari i këtij subjekti mund të japë dorëheqje pa i skaduar mandati.

Në rast se kryetari i LDK-së shkarkohet apo jep dorëheqje, atëherë saktësohet se brenda 60 ditësh duhet të thirret Kuvendi i LDK-së.

27.1 Për punën e tij, Kryetari i përgjigjet Kuvendit të LDK-së. Me propozimin e 1/3 së anëtarëve të Kuvendit, mund të ngrihet çështja e votëbesimit të Kryetarit. Votimin për besim mund ta ngrejë edhe vetë Kryetari. 27.2 Me votim për shkarkim, në përputhje me nenin 21, pushon mandati i Kryetarit të LDK-së.

27.3 Kryetari mund të japë dorëheqje para skadimit të mandatit. 27.4 Në rast të paragrafit 2 dhe 3 të nenit 27, duhet të thirret Kuvendi i LDK-së, në afatin prej 60 ditësh”, thuhet në statut.

Neni 25 në statutin e LDK-së e saktëson se kryetari i këtij subjekti votohet në Kuvend të LDK-së me votim të fshehtë.

Kandidimi për kryetar bëhet në Kuvend. Secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 për qind plus 1 të delegatëve të pranishëm.

Në rast se Kuvendi nuk aprovon më shumë se një kandidaturë, atëherë Kuvendi vendos për mënyrën e përzgjedhjes dhe votimit për Kryetar. Kryetari i LDK-së njëkohësisht është kryetar i Kuvendit, i Këshillit të Përgjithshëm dhe i Kryesisë së LDK-së.