Opinione

Kush e kërkon kokën e Qëndrim Gashit?

Nga Bardhyl Mahmuti 

Vrasja mizore me prerje koke e Samuel Paty, profesor i lëndës histori-gjeografi në kolegjin Le Bois d’Aulne të qytetit Conflans-Sainte-Honorine, në Francë, tronditi opinionin publik ndërkombëtar. Arsye e vetme përse u vra ky profesor lidhet me faktin se gjatë ligjërimit për temën rreth “kufizimeve të lirisë së shprehjes” nxënësve u kishte treguar dy karikatura.Karikatura e parë e njohur nga filmi “Pafajësia e myslimanëve” (2012), i producentit me origjinë egjiptiane Nakula Basele Nakula, paraqet një njeri të zhveshur, të cilit i është vënë emri Muhamed dhe nga prapanica e tij “lind një yll”. Në atë kohë kjo karikaturë shkaktoi trazira të mëdha në disa vende të botës, ndërkaq në sulmin e 11 shtatorit 2012 në Bengazi të Libisë u vra disa persona në mesin e të cilëve ishte ambasadori i SHBA-ve, J. Christopher Stevens, dhe funksionari i kësaj ambasade,Sean Smith.Ndërkaq karikatura e dytë është publikuar në revistën satirike franceze “Charlie Hebdo”, pas atentatit të 7 janarit 2015, të kryer nga terroristët islamikë Sherif dhe Said Kuashi. Të rikujtojmë se gjatë sulmit terrorist në lokalet e redaksisë së kësaj gazete u vranë njëmbëdhjetë persona, tetë prej të cilëve ishin anëtarë të redaksisë së “Charlie Hebdo”. Në këtë karikaturë prezantohet “Charlie Hebdo” si një njeri i vetëm, i cili deklaron: Tout est pardonë (çdo gjë u është falur)!Megjithëse është e njohur se “Charlie Hebdo” satirizon të gjitha religjionet, ato u bënë objekt sulmi nga fondamentalistët islamikë.Në qoftë se merret si fyerje karikatura e një personi të zhveshur me emrin Muhamed, nga prapanica e të cilit “lind një yll” atëherë kjo karikaturë është shumë më tepër një fyerje drejtuar të krishterëve dhe hebrenjve se sa myslimanëve.Të sqarojmë këtë aspekt të karikaturës.Në bazë të rrëfimeve biblike (Mateu, Kapitulli 2) lindja e Jezu Krishtit, që konsiderohet Zot për të krishterët, u shoqërua me LINDJEN E NJË YLLI, që u tregoi rrugën tre “mbretërve të urtë” që kishin ardhur për të shënuar këtë ngjarje të jashtëzakonshme.Për t’i dhënë karakter universal kësaj lindjeje, në literaturën e mëvonshme të Etërve të Kishës, “mbretërit e urtë” të Mateut u emëruan: Melhior, si përfaqësues i Evropës, Gaspar si përfaqësues i Azisë dhe Baltazar, si përfaqësues i Afrikës. (Në atë kohë nuk njiheshin kontinentet tjera, prandaj mungojnë përfaqësuesit e Amerikës dhe Australisë) .Sipas po të njëjtit rrëfim, këta mbretër iu drejtuan Herodit, mbretit të atëhershëm të hebrenjve, me këto fjalë: ”Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar’.Të interesuarit për këtë rrëfim mund të vazhdojnë të lexojnë interpretime të ndryshme të kësaj ngjarjeje biblike.

Reklamo bizensin tuaj ketu

T’i kthehemi karikaturës në fjalë.Nëse gjykojmë me nocionet e “fyerjes” dhe “provokimit” të ndjenjave religjioze, atëherë mund të themi pa asnjë ngurrim se nuk mund të ketë fyerje më të madhe për të krishterët sesa aluzioni i lindjes së Krishtit, Zotit të tyre, nga prapanica e një personi me emrin Muhamed. Megjithatë askush nga të krishterët nuk nxiti fondamentalistët që kanë në gjirin e vet që t’ia presin kokën një profesori që trajton rrezikun që i kanoset lirisë së shprehjes mendimeve, si njërën nga vlerat themelore mbi të cilën funksionojnë shoqëritë euroatlantike.Përpjekjet për t’ua ndaluar qytetarëve të shoqërive demokratike perëndimore që të shprehin lirshëm mendimet e tyre është një përpjekje e destinuar të dështojë në mënyrë të turpshme. Ata që hoqën qafe diktatin e Vatikanit, nuk do të durojnë ithtarët e ISIS-it apo talebanëve të Afganistanit t’ua përcaktojnë “temat legjitime” për të cilat duhet të japin mendimet e tyre!Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi publikoi në Twiterin e tij një shkrim që përshkruante kronologjinë e ngjarjeve që sollën deri te prerja e kokës së një profesori francez. Në këtë publikim të tij nuk ka asnjë fjalë të vetme të Qëndrim Gashit, që do të konsiderohej fyerje për dikë, siç nuk mund të gjenden fjalë fyese as në shkrimin që ka shpërndarë. Nëse dikush mendon se Qëndrim Gashi, apo kushdo qoftë tjetër, duhet të censurojë vetveten dhe shkrimet e autorëve të tjerë para se t’i publikojë në profilin e vet, atëherë kjo dëshmon se çfarë shoqërinë ëndërrojnë të krijojnë talebët e kësaj provinience religjioze.

Fatwa publike e Bashkësisë Islame të Kosovës kundër Qëndrim Gashit është e të njëjtës natyrë nxitëse si e prindërit të njërit nga nxënësit e profesorit francez që iu pre koka. Si e tillë, kjo Fatwa paraqet rrezik për integritetit fizik dhe moral të Qëndrim Gashit dhe si e tillë ajo duhet të trajtohet me përgjegjësinë më të madhe nga institucionet e drejtësisë së shtetit të Kosovës. Heshtja përpara kësaj nxitjeje që kërkon kokën e një njeriu dhe mosveprimi me masa parandaluese, i bën bashkëpërgjegjës institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës.

P.S.Në kontekst ku nxitja e besimtarëve mund të ketë pasoja të paparashikueshme, një bashkësi e mirëfilltë islame do të duhej të ulte tensionet dhe në këtë rast do të citonte fjalët e Kuranit: “O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e Allahut dhe bëhuni dëshmues me drejtësi! Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi” (Kuran, 5: 8, përkthimi i Hasan Nahi).