Lajme

Kurti u drejtohet serbëve: Kaloni në tabela RKS, pa doganë dhe pa kontroll teknik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të cilët nuk i kanë të regjistruara veturat e tyre me targat RKS, që ta bëjnë atë sa më shpejt. Kurti ka thënë se veturat që do të regjistrohen, nuk do të kenë nevojë të hyjnë nëpër procedura të doganës dhe nuk do të kërkohet kontrollimi teknik gjatë regjistrimit të parë.

Në një adresim në gjuhën serbe, Kurti ka postuar një video në rrjetin social Facebook duke u komunikuar edhe vendimin e fundit të qeverisë për reciprocitet ndaj Serbisë me targa dhe letërnjoftime.

Ai po ashtu u ka përmendur atyre edhe afatet ligjore që janë parashtuar për këtë punë.

“Thirrje qytetarëve të Republikës që targat ilegale t’i shndërrojnë në ato RKS me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë.”, shkruan Kurti në rrjetin social Facebook.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të mundësojë regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga Serbia.

Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë me datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 30.09.2022.

Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë dhe obligon Ministrinë e Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi.

Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.

Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.

Gjithashtu, sipas vendimit, automjetet me targa të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror, nga data 01.08.2022. Mekanizmi i tillë do të vlejë deri me 31.10.2022.

Ky mekanizëm është pa paragjykim ndaj afatit maksimal të qëndrimit të automjeteve të tilla në territorin e Republikës së Kosovës, përfundon komunikata.