Lajme

Kurti pajtohet me Lajçakun për rëndësinë e dialogut, por kërkojnë që qeveria të jetë legjitime

Albin Kurti është takuar me Miroslav Lajçak. Kanë folur për dialogun Kosovë – Serbi. Janë pajtuar se është i një rëndësie të veçantë. Megjithatë Kurti ka shprehur shqetësimet e tij të kthyera në bindje se qeveria aktuale e Kosovës s’është as e përgatitur e as s’ka legjitimitet për ta përfaqësuar Kosovën në këtë proces kompleks të negocimit me Serbinë.

Kurti pajtohet me Lajçakun “për rëndësinë e dialogut”, “por qeveria të jetë legjitime”
Albin Kurti është pajtuar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, i cili në takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje foli për nevojën dhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut, megjithatë lideri i VV-së i ka thënë diplomatit evropian se për dialog nevojitet “qeveri legjitime dhe kredibile”.

Qeveri, që sipas Kurtit, Kosova për momentin nuk e ka.

Lajçak u takua me Kurtin në vazhdën e takimeve që po zhvillon me liderë institucionalë e partiakë, në këtë vizitë disa ditore në Kosovë.

“Kryetari Kurti u pajtua se dialogu është shumë i rëndësishëm. Duke qenë proces i një rëndësie të tillë ai duhet të jetë i përgatitur mirë, me parime e qëllime të qarta, me qeveri legjitime dhe kredibile, kornizë të dakorduar paraprakisht nga palët e përfshira, dhe përfshirje e aprovim të vazhdueshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes dërguar mediave për takimin me zyrtarin e BE-së.

Në komunikatë tregohet edhe se Kurti i ka folur Lajçakut për pozicionin e Vetëvendosjes dhe gjithashtu i ka shprehur shqetësim për disa raste të dërguara në Gjykatën Kushtetuese të cilat nuk po marrin përgjigje.

Të dy, thotë komunikata, u pajtuan të mbesin në kontakt në funksion të mirëmbajtjes dhe avancimit të bashkëpunimit të deritanishëm

“Në anën tjetër, Lajçak tha se dialogu i lehtësuar nga BE-ja paraqet një proces serioz i cili ka dy qëllime bazë: normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë dhe afrimin e dy vendeve pranë e në BE”.