Lajme

Kurti në Tiranë: Serbia të distancohet nga regjimi i Milosheviqit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga Tirana

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga Tirana ku po qëndron për samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, deklaroi se Serbia duhet të distancohet nga regjimi i Millosheviqit.

Ai duke folur para mediave, i ka dërguar mesazh Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, njofton Insajderi.

Sipas kryeministrit kosovar, Bashkimi Evropian nuk është i kompletuar pa anëtarësimin e gjashtë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ai theksoi se shteti i Kosovës është shtet pro-evropian, ndërsa shtoi se nismat rajonale hasin në pengesë për shkak se Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës.

“Në duam të integrohemi në BE, të integrohemi në NATO. Njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është mirë vetëm për Kosovën, por është jo më pak e vlefshme edhe për vetë Serbinë, e cila po mban vetën peng. E kam theksuar edhe më herët se para 13 vitesh, Kosova e ka shpallur pavarësinë nga Serbia, është koha e fundit që Serbia të shpallë pavarësinë nga Kosova”, tha Kurti.

Shefi i qeverisë në Kosovë po ashtu konfirmoi se ka pasur përplasje me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.

Kurti tha se pikërisht për çështjen e njohjes, pati polemika me kryeministren serbe.

“Nuk dëshironte të pranonte që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Unë theksova që Serbia do të duhej të shkëputej duke u distancuar nga regjimi i Millosheviqit dhe trashëgimia e tij”, tha Kurti./Insajderi.com