Lajme

Kurti LVV-së në Shqipëri: Me zemër isha pranë fushatës suaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar përkrahjen e tij për tre kandidatët për deputetë në Shqipëri të Lëvizjes Vetevendosje.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se do të kishte dashur të ishte më shpesh i pranishëm në këtë fushatë, pasi siç thotë ai gjendja e vështirë me pandeminë në Kosovë ia ka imponuar që të mos jetë i pranishëm.

“Do të kisha dashur të isha më shpesh i pranishëm në këtë fushatë, për të ndihmuar bashkëpunëtorët e miqtë e mi, Boikenin, Iliazin e Kreshnikun, por gjendja e vështirë në të cilën e gjetëm shëndetësinë publike në Kosovë na ka imponuar që, nga njëra anë, të kemi një agjendë intensive punësh, e nga ana tjetër, të marrim masa për të mbrojtur jetët e qytetarëve. Uroj që të gjithë ju të jeni mirë me shëndet, e ta kapërcejmë sa më shpejt këtë pandemi që po sfidon gjithë botën”, ka shkruar ai.

Kurti po ashtu thotë se me zemër ka qenë pranë fushatës së tre kanidatëve.

“Por, me zemër unë kam qenë pranë fushatës suaj e pranë jush, ju kam mbështetur dje e sot, dhe sigurisht do t’ju mbështes dhe nesër. Ne na bën bashkë një ide e një projekt i cili as nuk nis e as nuk përfundon me ne. Është ideja kombëtare, e cila do të vazhdojë të bëjë bashkë shqiptarët e ndershëm e idealistë edhe kur ne të mos jemi më”, tha Kurti./Insajderi.com