tjera

Kur sëmundjen s’ia do as armikut: Kim Jong Un i uron shërim të shpejtë Trumpit

Lideri i Koresë Veriore, Kim Jong Un, i ka dërguar një mesazh presidentit amerikan, Donald Trump, duke i uruar shërim të shpejtë nga koronavirusi, raportuan mediet shtetërore verikoreane.

Agjencia shtetërore KCNA raportoi se Kim Jong Un shprehu ndjeshmëri dhe përshëndetje të ngrohta për Trumpin dhe bashkëshorten e tij, shkruan Reuters.

Ai sinqerisht shpreson që ata të shërohen sa më shpejt që është e mundshme. Ai shpreson se ata sigurisht do ta kalojnë këtë”, thuhet në njoftimin e kësaj agjencie.

Donald Trump dhe Kim Jong Un e ndërtuan një raport të pashembullt, duke filluar takimet e para mes një presidenti amerikan dhe një lideri të Koresë Veriore. Trumpi një herë kishte deklaruar se ata kanë rënë në dashuri pas shkëmbimit të letrave.

Përpjekjet për ta shtyrë Korenë Veriore që të tërhiqet nga programi bërthamor në këmbim të largimit të sanksioneve dështuan pasi liderët nuk arritën të nënshkruajnë marrëveshje për denuklearizim. Megjithatë, liderët e të dyjave vendeve me raporte të ftohta kanë vazhduar të shkëmbejnë mesazhe.