Kosovë

“Kur i biri i Hamëz Jasharit e mohon luftën e UÇK-së, Gjykata Speciale nuk është për t’u çuditur”

Nipi i heroit, Ali Jashari, Lavdimi, i ka reaguar kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari, i cili para disa ditësh me anë të një deklarate aludoi se në fshatrat Kotorr e Radishevë të Skenderajt s’ka pasur luftë.

Lavdim Jashari thotë se kur “i biri Hamëz Jasharit, e mohon luftën dhe njerëzit e UÇK-së, vetëm për konsum politik, atëherë Gjykata Speciale nuk është për t’u çuditur”

Tutje, ai thotë se është për keqardhje kur mendon se Aleksander Vuçiç i dëgjon fjalët e Bekim Jasharit.

“Besoj që familja e Bacit Shaban Jashari, janë të distancuar nga ky politikan përndryshe gjithçka çfarë kanë bërë për këtë shtet është në rrezik”, thuhet tutje në reagimin e tij, transmeton Gazeta Express.

Reagimi i tij i plotë:

Është për keqardhje kur mendon se Aleksander Vuçiç i dëgjon fjalët e Bekim Jasharit, se në atë zonë të Drenicës nuk ka pas luftë. Ne jemi dëshmitarë që okupatori serb, nuk ka lënë as edhe një pëllëmb të Kosovës pa e shkelur, pa e poshtëruar e dhunuar.

Bota nuk është armiku ynë, ne jemi armiq të njëri-tjetrit! Solidaritet njerëzor midis familjeve, kjo është gjithë çka kërkova.

Nuk e di nëse pushtuesit na paskan mbajtur afër njëri tjetrit dhe u deshëm si vëllezër apo sot egoja për pushtet dhe pasuri ju ka ndryshuar e verbëruar.

Kur i biri i Hamëz Jasharit, e mohon luftën dhe njerëzit e UÇK-së, vetëm për konsum politik, atëherë gjykata speciale nuk është për t’u çuditur.

Po ata trima të lagjes Jasharaj, të cilët ranë heroikisht në oborrin e Adem Jasharit, ishin shokë të tij, apo qëlluan rastësisht në betejën e 5,6 dhe 7 Marsit.

Si dhe pse asnjëherë nuk iu kujtua Bekim Jasharit, të përmend shokët e lagjes Jashari, të cilët u vranë së bashku me 20 anëtarët e familjes së tij, apo duhet të përmend vetëm ata të cilët e përkrahin sot POLITIKISHT.

Besoj që familja e Bacit Shaban Jashari, janë të distancuar nga ky politikan përndryshe gjithçka çfarë kanë bërë për këtë shtet është në rrezik.

Ndryshe, Bekim Jashari këto deklarata i bëri gjatë një debati televiziv, teksa i përgjigjej ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku. Sipas Jasharit, Lushtaku ka qëndruar në Radishevë, larg fronteve të luftës.