Sport

“Kur humbiste logjikën, Fernando nuk përmbahej, transformohej në një vrasës me taka futbolli”

Sinisa Mihajlovic që prej dy vitesh po lufton

Sinisa Mihajlovic që prej dy vitesh po lufton me një sëmundje të rëndë, në librin e tij autobiografik rrëfen shumë episode të veçanta por një nga më të bukurit lidhet me kujtimet që ai ka me një nga mbrojtësit më të mirë të viteve ’90, Fernando Couto, me të cilin ka luajtur për disa vite te Lazio. Nga dhuna në stërvitje te sulmet ndaj kundërshtarëve, ata të dy do të mbahen mend gjatë për periudhën e shkëlqimit te Lazio që Sinisa e kujton me këto fjali:



Një ditë, Fernando Couto dhe Diego Simeone u përleshën gjatë stërvitjes dhe më pas në dhomën e zhveshjes njëri mori gërshërën dhe tjetri thikën dhe nëse nuk do t’i kishim ndarë, do të kishin vrarë njëri-tjetrin.

Një ditë tjetër u zunë Conceicao dhe Couto që ishin madje edhe bashkëkombas. Kur humbiste logjikën, Fernando nuk përmbahej. Ai transformohej në një vrasës me taka futbolli. Gjatë ndeshjeve, unë dhe Couto provokonim kundërshtarët. E nisnim që në tunel dhe në fushë ndanim detyrat.

Përplaseshim me sulmuesit kundërshtarë dhe i ofendonim duke u thënë: Ej, pse më godet, copë m… dhe ata zakonisht kërkonin falje pa bërë asgjë por ne vazhdonim dhe gjërat përkeqësoheshin. Ne nuk konkurronim për çmimin fair play. Na urrenin dhe ishim antipatikë por ne dëshironim të fitonim dhe kjo ishte pjesë e lojës. Në një skuadër nevojiten edhe njerëz të tillë”.