Sport

Kuka dështon në finale për të bronztën, por Kosova kthehet me 3 medalje nga Evropiani

Loriana Kuka ka dështuar ta fitojë medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të Xhudos, pasi është mposhtur nga Fanny Estelle Postive në finale në Portugali.

Xhudistja pejane u mposht nga garuesja francezen në finale për medaljen e bronztë në kategorinë -78 kilogramë në Evropianin 2021 të dielën,

24-vjeçarja, e cila e kishte fituar medaljen e bronztë në Evropianin e vitit të kaluar, bëri lëvizje të gabuar sapo filloi lufta.

Këtë e shfrytëzoi francezja me përvojë duke e hedhur në dysheme dhe duke e mbajtur të palëvizur derisa e fitoi luftën me ippon.

Kuka i mbylli garat për Kosovën në këtë evropian, i cili, gjithsesi, ishte tejet i frytshëm për ekipin e xhudos së udhëhequr nga trajneri Driton Kuka.

Kjo sepse Kosova do të kthehet nga Portugalia me tri medalje, dy të arta dhe një të bronztë.

Në dy ditët e para të Evropianit në Portugali, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova i fituan medaljet e arta në kategoritë e tyre përkatëse, duke u shpallur kampionë Evrope.

Nora Gjakova e fitoi medaljen e bronzte në kategorinë e saj, ndërkohë që Laura Fazliu, njëlloj si Kuka, dështoi në finale për të bronztën.