Maqedoni

Kufiri Maqedoni-Kosovë do qëndrojë i hapur

Për momentin përveç rekomandimeve të javës së kaluar nuk ka nevojë për restriksione tjera shtesë për shkak të Covid-19, deklaroi sot ministri i shëndetësisë Venko Filipçe.

Gjatë javës së kaluar, sic tha ministri Filipçe, rekomanduam të mos ketë grumbullime të më shumë se katër personave pas orës 22, të mos ketë grumbullime të më shumë se katër personave në kushte shtëpiake, gjë që e zbatojnë edhe vendet tjera evropiane dhe rekomandimi për mbajtjen e maskës në ambient të hapur, për shkak se mendojmë se kjo është masë që do të ndikojë në uljen e kësaj vale me të cilën përballemi.

“Nga aspekti formal juridik duhet të ndryshohet ligji, sepse të gjitha këto masa, duke e përfshirë edhe mbajtjen e pajisjes mbrojtëse personale në ambient të hapur, janë të rregulluara me dekret me fuqi ligjore që u miratua në ditët e fundit të gjendjes së jashtëzakonshme. Që të mund të kontrollohet kjo dhe që të munden institucionet ta zbatojnë, dhe në qoftë se nuk e zbatojnë të sanksionohen, është e domosdoshme të ketë ndryshime ligjore. Mënyra më e shpejtë është të ndërhyhet me amendamente në Ligjin për mbrojtje të popullatës nga sëmundjet ngjitëse, i cili tashmë është në procedurë parlamentare”, deklaroi Filipçe.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se për momentin nuk ka arsye për mbyllje të sërishme të kufirit me Kosovën sepse Komisioni në fjalë nuk ka konstatuar se infektimet vijnë nga Kosova, përkundrazi janë nga brenda vendit.

“Komisioni për Sëmundje Infektive (KSI) e analizon situatën, dhe konstaton nëse ka apo jo arsye për mbyllje të kufirit. Në rast se infektimi paraqitet për shkak të udhëtimeve me Kosovën, atëherë ka arsye për mbyllje, por në rast se përhapja e virusit vjen nga brenda, atëherë nuk shohim arsye për mbylljen e kufirit”, deklaroi Zaev.

Kosova dhe Maqedonia janë ndër vendet e vetme që mes tyre hoqën testet PCR për koronavirus. Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja nuk kanë hequr ato për shtetasit e Maqedonisë.