Lajme

Kuçi e sheh më të rëndësishme fushatën për zgjedhje, për këtë arsye e la postin e ministrit

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, e ka dorëzuar te kryeministri dorëheqjen e tij nga pozita në Qeveri për një arsye të pazakontë.

Gazeta ka provuar të kontaktojë me Blerim Kuçin, por ai ka qenë i paqasshëm. Ndërsa ofrimin e dorëheqjes nga ana e Kuçit, e ka konfirmuar zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku. Ajo tha se kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka marrë kërkesë nga Blerim Kuçi që ta lirojë atë nga detyra e ministrit.

“Ka arritur një kërkesë për lirimin nga detyra nga ana e ministrit”, tha Baxhaku.

Përmes një postimi në Facebook, Kuçi e ka publikuar kërkesën e tij për dorëheqje, bashkë me arsyet, që lidhen vetëm me angazhimin i tij në fushatën zgjedhore.

“Arsyeja e kërkesës për lirim nga detyra është se nuk dëshiroj që posti i ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit të jetë temë e ndonjë debati se pse një ministër po angazhohet në fushatë në masën që po angazhohem tash. Arsyeja tjetër pse po kërkoj lirim nga detyra është se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit është e gjerë në domenin e saj, andaj angazhimi në fushatë dhe në ministri nuk mund të bëhet në ritmin e njëjtë”, thuhet në kërkesën që Kuçi e ka dorëzuar te kryeministri në detyrë.

Zëdhënësja e Qeverisë tha se gjatë ditës, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti do të marrë vendim nëse do t’ia pranojë dorëheqjen ministrit Blerim Kuçi, apo do ta refuzojë atë.