Lajme

Kryeziu i VV’së: PDK’ja po gjen arsyetime për të mos rrëzuar Qeverinë Hoti

Deputeti i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, Etem Arifi, sot iu është dorëzuar organeve të drejtësisë dhe do të shkojë në vuajtje të dënimit për një vit e tre muaj për shkak se mashtroi me subvencione.

Mungesa e tij në Kuvend do t’ia vështirësojë punët Qeverisë Hoti, e cila u ngrit me shumicën e thjeshtë.

Për këtë, Lëvizja Vetëvendosje po thotë se është një rivërtetim i asaj që thonë se kjo qeveri është ilegale dhe jolegjitime.

Për më tepër, zëdhënësi i partisë, Përparim Kryeziu, tha se Qeverisë Hoti po i shtohet një emërtim tjetër – jofunksionale.

“Kjo Qeveri buron nga një shtrembërim i vullnetit qytetar. Ajo është jolegale sepse një deputet përcaktues nuk do të duhej të ishte në Kuvend për ta mundësuar një Qeveri që është plotësisht jofunksionale. Ajo nuk arrin të garantojë votimin e nismave legjislative dhe një e tillë që efektivisht s’mund të garantojë numrin e votave për të përmbushur obligim e sfidon nevojën edhe për ekzistencën e saj sepse e ka të pamundur që të ushtrojë kompetencën e saj”.

Derisa tregoi se janë në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për rastin e deputetit të dënuar, Kryeziu ripërsëriti që përpos nevojës për rilegjitimitet dhe rilegalizim të qeverisë është shtruar nevoja për një rifunksionalizim të saj që duhet të bëhet me zgjedhje të parakohshme.

“Jemi të bindur që kërkesa jonë është edhe e saktë edhe e drejtë sepse një deputet që është dënuar me vendim të prerë nga një gjykatë, me dënim më të gjatë se një vit s’duhet të ishte në Kuvend për ta votuar Qeverinë Hoti. Tashmë i njëjti që e ka mundësuar votimin e saj po e pamundëson funksionalizimin e saj. Një qeveri që s’i ka 60 vota minimumi do të duhej të dorëhiqej”, ka thënë Kryeziu në Klan Kosovë.

Kryeziu tha se e vetmja parti opozitare që ka ndërmarrë nisma që të rrëzojë Qeverinë e Avdullah Hotit është Vetëvendosja derisa për partinë tjetër në opozitë, PDK-në, tha se gjen arsyetime për t’i mbuluar veprimet.

“VV është i vetmi subjekt që me sinqeritet e ka trajtuar nevojën për një mocion të mosbesimit dhe për këtë ka shpenzuar resurse njerëzore dhe financiare për organizimin e një peticioni ku për disa muaj janë grumbulluar 250 mijë nënshkrime”.

“Nisma për mocion të mosbesimit mund të zbatohet nëse i bashkohet edhe pjesa tjetër e opozitës. Ata bile e kanë cilësuar se kanë kryer tradhti kombëtare me Marrëveshjen e Uashingtonit”.

Kryeziu tregoi se Vetëvendosje  i ka thënë PDK-së që teksti dhe përmbajtje janë të hapura për ndryshimet e tyre, por tha se ata po kushtëzojnë nismën dhe se “ky është arsyetim për të mos bërë diçka”.

“Nëse PDK e konsideron që Qeveria Hoti ka dështuar në rimëkëmbje ekonomike, në menaxhimin e pandemisë, si dhe ka kryer akt të tradhtisë kombëtare, pra nëse këto janë vlerësime të PDK-së atëherë është e pakuptimtë që ata s’e ofrojnë mbështetjen”.