Lajme

Krizë në Mal të Zi për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë

Qeveria e Malit të Zi ka rënë në krizën më seri

Qeveria e Malit të Zi ka rënë në krizën më serioze që nga formimi i saj deri më tani, për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë, që ndodhi 26 vjet më parë, transmeton Insajderi.

Kështu thotë për REL, Daliborka Ulareviq – drejtoreshë e Qendrës për Edukim Qytetar (CGO).

“Deri më tani, ky është treguesi më i fortë i keqkuptimeve elementare midis kryeministrit dhe përfaqësuesve të koalicionit qeverisës, si dhe i dallimeve të ndërsjella për një numër çështjesh. Është po ashtu një tregues se kjo qeveri nuk është aq eksperte dhe nuk ndjek agjendën evropiane”, thotë Ulareviq.

Si shembull, ajo përmend pikërisht ministrin e drejtësisë, Vladimir Leposaviqin dhe pikëpamjet e tij mbi Srebrenicën, i cili tha se Mali i Zi është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka pasur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”.

Kryeministri Zdravko Krivokapiq, më 5 prill ka kërkuar largimin e Leposaviqit, për shkak të këtij qëndrimi të tij, me të cilin e sfidoi edhe legjitimitetin e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, e cila ka konstatuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

Leposaviq u zgjodh ministër i Drejtësisë më 4 dhjetor të vitit të kaluar, së bashku me 11 ministra të tjerë të Qeverisë së Krivokapiqit.

Në përgjigje të deklaratës së Leposaviqit për Srebrenicën, Bashkimi Evropian tha më 29 mars se hedh poshtë dhe dënon çdo mohim, relativizim ose keqinterpretim të gjenocidit në Srebrenicë, raporton REL.

Për të njëjtin rast, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë shprehu shqetësimin e saj dhe shpresën se “Qeveria e Malit të Zi do ta dënojë pa mëdyshje masakrën dhe do ta quajë atë ashtu siç ka qenë – gjenocid”. /Insajderi.com