Showbiz

Kritikohet Trump pasi me COVID-19 përshëndeti mbështetësit nga vetura

Ekspertët mjekësorë po vënë në dyshim vendimin e Donald Trump për të përshëndetur mbështetësit nga vetura jashtë spitalit ku ai po trajtohet për COVID-19.

Ka shqetësime që presidenti amerikan, i cili kishte një maskë, mund të ketë rrezikuar stafin e Shërbimit Sekret brenda makinës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere tha se udhëtimi të dielën ishte “vlerësuar nga ekipi mjekësor si i sigurt”.

Pyetjet mbeten mbi seriozitetin e sëmundjes së Trump pas deklaratave kontradiktore gjatë fundjavës.

Presidenti ka qenë në spital që nga e premtja, pasi ai njoftoi orë më parë se ishte testuar pozitiv për virusin.

COVID-19 ka infektuar gati 7.4 milionë dhe ka vrarë gati 210,000 njerëz në të gjithë SHBA-në, sipas Universitetit Johns Hopkins, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.

Diagnoza e Presidentit Trump ka përmbysur fushatën e tij zgjedhore, pasi ai përballet me sfiduesin demokratik Joe Biden në 3 nëntor.

Një numër në rritje i njerëzve përreth presidentit, përfshirë gruan e tij Melania Trump, ndihmës të vjetër dhe senatorë republikanë, kanë dalë pozitive me virusin.