Lajme

Kraki: Me Trumpin president, pas katër vitesh shtetësia e Kosovës do të zbehej në padukje

Profesori i shkencave politike në Universitetin Paris-Est Creteil në Francë, Nezir Kraki, në një intervistë për KOHË-n ka deklaruar se sikur presidenti Donald Trump do të ishte edhe për katër vjet në Shtëpinë e Bardhë atëherë do të zbehej në padukje shtetësia e Kosovës.

Me Joe Bidenin në krye të SHBA-së ai nuk pret që marrëveshja e 4 shtatorit të ketë ndonjë peshë të madhe.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Kraki ka deklaruar gjithashtu se shqiptarët qe një shekull s’kanë pasur mandat presidencial më të favorshëm se ky që do të nisë në janar, sepse për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë do të jetë shef i Amerikës dhe i botës demokratike një person që e njeh konkretisht çështjen shqiptare, çështjen e ish-Jugosllavisë, rrethanat e prishjes së ish-Jugosllavisë dhe fatin e shqiptarëve në Ballkan.

KOHA: Z. Kraki, pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të presidentit Donald Trump, cilat janë pritjet e juaja në lidhje me zbatimin e zotimeve që Kosova dhe Serbia i kishin firmosur në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator?

Kraki: Në kontekstin e ri të krijuar me fitoren e Joe Bidenit, marrëveshjet e tipit të asaj të 4 shtatorit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk pres që të kenë ndonjë peshë, sepse nuk kanë pasur kurrë. Kanë qenë njëfarëlloj tregtie momentale për përdorim elektoral dhe për më tepër nuk janë as marrëveshje, por janë zotime, fletë-zotime, si ato për linjën ajrore apo hekurudhore. Janë përralla diplomatike që fatkeqësisht janë produkt i një diplomacie turistike, të cilës i ka prirë Richard Grenelli vizavi Kosovës dhe Serbisë.

Nuk ka presidencë normale në Amerikë që do të mund ta merrte serioze një marrëveshje të tillë ose një dokument angazhimi me përmbajtje kaq kaotike, kaq të pabëshme dhe kaq të parealizueshme në terren.

Nuk ka njeri serioz dhe logjikisht të strukturuar që mund t’i besojë asaj përralle që tregohet në ato pika që s’kanë as bisht as krye dhe që s’gjejnë zbatim në terren. Pika të tilla mund të ekzekutohen në terren veç në shtete krejt normale siç janë Suedia e Finlanda apo Norvegjia që nuk kanë asnjë animozitet mes tyre, por jo Kosova dhe Serbia dhe aq më tepër kur pretendimet e Serbisë post pavarësi kanë marrë tash kahje legjitime me dokumente të tillë. Pretendimet e Serbisë që totalisht janë jashtë realitetit, kanë gjetur njëfarë jehone legjitimimi dhe gati u pat normalizuar ajo qasja defitiste, e cila thotë që Serbia dhe Kosova megjithatë janë bashkë deri diku – duhet ta mëngojnë fatin e tyre bashkë, Ujmanin bashkë, elektricitetin bashkë, edukimin bashkë, shëndetësinë, tabelat e regjistrimit të veturave, prefiksat telefonikë. Duhet të dilet nga kjo logjikë.

Po ta kishte vazhduar edhe një mandat Donald Trumpi me logjikën e tillë, pas katër viteve, shtetësia e Kosovës, sipas meje, do të ishte zbehë deri në padukje.

KOHA: Liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë të hënën kanë firmosur një marrëveshje për disa masa të përbashkëta në luftën kundër pandemisë COVID-19, në kuadër të nismës së Mini-Schengenin. Aty nuk ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, ndonëse Plani i Zbatimit për Zotimet e Uashingtonit thoshte se Kosova do të marrë pjesë si palë e barabartë në takimin e radhës. Çfarë flet kjo?

Kraki: Ky rast konkret mund të ketë disa interpretime. Unë jam parimisht kundër zgjidhjeve që nuk zgjidhin çështje konkrete. Jam kundër zgjidhjeve që shërbejnë vetëm për të fshehë pluhurin nën tepih dhe me fituar kohë. Krejt këto opsione, idetë kreative që kanë lindur viteve të fundit në takimet kryesisht të Aleksandër Vuçiqit me Edi Ramën, janë kaotike dhe nuk i ndihmojnë as pajtimit të popujve në Ballkan dhe as bashkëjetesës së tyre në Ballkan. Aq më pak popullit shqiptar dhe popullit serb. Nuk gjen zbatim një marrëveshje aq jodomethënëse siç është Mini-Schengeni, sepse as nuk është prezantuar siç duhet as nuk është kuptuar siç duhet dhe as nuk ka korniza të qarta brenda të cilave Kosova me kontestin me Serbinë, pastaj shtete si Bosnja… Nuk ka logjikë. Çdo gjë që nuk është e logjikshme në politike, nuk i reziston kohës dhe çdo gjë që nuk merr parasysh nevojat konkrete të njerëzve të vendeve, nuk i reziston kohës.

Kosova nuk e ka luksin që të hidhet në një tren që nuk çon askund. Koha veç ka ecur mbrapsht për neve dhe tash nuk e kuptoj se kush e ka konstatuar se përparimi i Kosovës si shtet dhe si shoqëri kalon nga mundësia e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave përmes Beogradit. Asnjë njeri në këtë planet i logjikshëm dhe objektiv nuk mund ta nxjerrë një konkluzion të tillë. Kosova nuk ka nevojë të kalojë përmes Beogradit që të përparojë as si shtet e as si shoqëri. Kushdo që do që të shkojë në Beograd mund ta bëjë. Askush s’i pengon. Nuk ka nevojë as për linjë ajrore e as hekurudhore. As qarkullim më të lirë të mallrave se tash me Serbinë, nuk e di ku ka në botë, përpos zonës evropiane.

Këto janë përralla që fatkeqësisht kanë ardhur dhe u janë mbivendosur problemeve konkrete e nën këtë kupolë janë futur krejt kjo kasta e oligarkëve dhe e të korruptuarve politikë që udhëheqin shtetet ballkanike dhe e kanë si mburojë. Këta premtojnë opsione kreative, i premtojnë Evropës dhe botës zgjidhje kreative, me gjasë dhe e përdorin atë si mbulim të problemeve reale që kanë shoqëritë dhe popujt në atë rajon.

Shqipëria prapë është bllokuar nga BE-ja. Maqedonia prapë është bllokuar nga BE-ja. Shtetet e Ballkanit, këto që kanë mbetur jashtë zonës normale evropiane, kanë probleme të tjera dhe qarkullimi i lirë i njerëzve dhe i mallrave nuk është ndonjë pengesë e aq më tepër kur e dimë të gjithë se Serbia është në krahasim me Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjën dhe Maqedoninë, superfuqi ekonomike dhe tregtare. Pse me iu nënvendosë ne Serbisë komplet si shtete shqiptare dhe si komb.

KOHA: Gjatë presidencës Biden, prisni ndonjë angazhim të shtuar të Shtëpisë së Bardhë në Ballkan, e veçmas në dialogun Kosovë-Serbi, meqë Presidenca Obama, në të cilën Biden ishte zëvendëspresident, pati marrë kritika për mosangazhim?

Kraki: Gjithsesi. Jo veç në Ballkan, por jashtë në përgjithësi presidenca e Barak Obamas ka qenë goxha dështim në implikimet amerikane jashtë Amerikës.

Por, asnjëherë prej një shekulli e më shumë shqiptarët s’kanë pasur mandat presidencial më të favorshëm se ky që do të nisë në janar, sepse për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë do të jetë shef i Amerikës dhe i botës demokratike një person që e njeh konkretisht personalisht dhe direkt çështjen shqiptare, çështjen e ish-Jugosllavisë, rrethanat e prishjes së ish-Jugosllavisë dhe fatin e shqiptarëve në Ballkan.

Tash, normalisht që sipas meje ata që thonë se politika e jashtme amerikane nuk ndryshon kushdo që vjen në Shtëpinë e Bardhë, ato janë legjenda urbane të filmave të Jackie Chanit. Nuk e di në cilin planet jetojnë ata. Politika e jashtme amerikane me çdo president ndryshon. Nuk ka vija që janë të gravuara në granit në asnjë shtet të botës. Kështu që presidenca Biden do të jetë totalisht e ndryshme nga presidenca kaotike Trump, e cila s’ia ka pas idenë Ballkanit e as Evropës dhe është varë nga njohuritë ultra ultra sipërfaqësore të tipave si Richard Grenell për t’ia sqaruar komplekset ultra të rënda dhe të gjata të shtrira në kohë të Ballkanit. Kështu që është krejt e kundërta që do të ndodhë.

Kosova dhe Shqipëria, shqiptarët në përgjithësi në Ballkan, duhet të bëjnë çmos që ta nisin një cikël të ri, bashkë me ciklin e ri amerikan dhe të jenë në sinkronizim me të, në aspektin e organizimit normal të shteteve tona në Ballkan dhe të prezantimit konkret të prioriteteve tona, të halleve tona dhe të asaj që Kosova dhe Shqipëria e kanë synim – s’po them për bashkimin kombëtar se ai s’mund të jetë synim i tashëm, por synimi i Kosovës duhet të jetë afirmimi i Kosovës kështu siç është dhe dhënia fund e pretendimeve totalisht absurde që Serbia vazhdon t’i ketë mbi Kosovën.

Këtë qasje, Joe Biden dhe administrata e tij ka shumë gjasa, sipas meje, që ta kuptojë pa shumë vështirësi. Këtë qasje nuk do ta kishte kuptuar kurrë Donald Trumpi me njerëzit e tij. Por këtë qasje e kupton një person si Joe Bideni, i cili ka 30 vite që merret për së afërmi ose për së largu me Ballkanin, e konkretisht me çështjen shqiptare.

Unë pres që në Kosovë ta kemi sa më shpejt një qeveri me legjitimitet të pakontestueshëm, siç është presidenca tash në Amerikë, e re me legjitimitet të thellë të pakontestueshëm, dhe ta vendosin një vijë, një strategji, një plan, një vizion kombëtar shtetëror jashtë të cilit nuk duhet të guxojmë të dalim dhe bisedimet kaotike turistike që kanë qenë deri tash duhet të stopohen urgjentisht dhe të riformatohen në bazë të strategjisë që duhet ta kemi vendosur në si Kosovë. Ne nuk kemi nevojë t’i përshtatemi veç Serbisë. Nuk shkohet në Uashington me dhënë diçka. Serbia shkon në Uashington me marrë. Kosova shkon me dhënë diçka. Nuk mund të rrimë në atë logjikë sepse jemi duke u zhbërë si shtet.

Pres që administrata Trump ta mbyllë ciklin e kaosit që e ka sjellë jo veç në Ballkan po edhe në botë, në çështje të ndjeshme që janë në rajonet e rëndësishme të planetit, dhe të nisë në janar një cikël i ri që do ta kuptojë shumë më mirë Ballkanin.

Por, Joe Biden nuk do të zgjohet në mëngjes me Kosovën në gojë si temë. Joe Biden duhet të marrë vesh që Kosova është dinamike, Kosova është normale. Dhe nëse ne arrijmë t’i tregojmë Joe Bidenit dhe njerëzve të tij që Kosova është normale, ai do të merret më mirë, më konkretisht me neve. Tash për tash Kosova është totalisht abnormale, si nga organizimi politik, si nga organizimi i bisedimeve me Serbinë, si nga pozita e saj defetiste, me të cilën është pajtuar vizavi Serbisë. Përndryshe nuk të merr kurrkush seriozisht. As Joe Bideni.