Lajme

KQZ apel qytetarëve jashtë Kosovës: Aplikacioni online që po qarkullon është i paautorizuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se me shqetësim ka pranuar informacionet se gjatë ditës së sotme është publikuar një aplikacion online i cili po grumbullon të dhënat e qytetarëve nga jashtë Kosovës si dhe donacione.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, se një aplikacion i tillë është i paautorizuar, në kundërshtim me ligjin dhe dëmton integritetin e procesit zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se të gjithë ata/ato që aplikojnë përmes këtij aplikacioni nuk janë duke paraqitur aplikimin e tyre në KQZ për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

KQZ njofton qytetarët me të drejtë vote që jetojnë jashtë Kosovës dhe të cilët plotësojnë kriteret ligjore për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, që aplikimin e tyre ta bëjnë vetëm përmes mënyrës së përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke ndjekur hapat e publikuar në ueb faqen tonë zyrtare”, thuhet në reagimin e tyre.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thekson se është i vetmi institucion që ka mandate kushtetues dhe ligjor për të organizuar dhe mbikëqyrur procesin zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas pranimit të informacioneve lidhur me publikimin e këtij aplikacioni, ka njoftuar organet kompetente për të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore.