Lajme

Kosovarët do t’i bëjnë dasmat në Kukës, këngëtarët tregojnë në sa ahengje janë ftuar

Moslejimi i organizimit të dasmave në Kosovë, ka bërë që kosovarët që kanë planifikuar të martohen këtë vit, t’ia mësyjnë Shqipërisë. Shumë prej tyre tashmë kanë rezervuar sallat e dasmave në Kukës. Përveç sallave, ata kanë zgjedhur edhe këngëtarët që do t’i argëtojnë në një prej ditëve më të rëndësishme të jetës. Këta të fundit kanë folur lidhur me numrin dasmave për të cilat janë kontraktuar.

Vera do t’i gjejë shumë kosovarë në Shqipëri. Përveç për pushime, një pjesë e tyre kanë vendosur që t’i mbajnë edhe dasmat atje, meqenëse evente të tilla s’po lejohen në Kosovë, shkaku i numrit të lartë të rasteve me COVID-19.

Se kosovarët kanë filluar të rezervojnë sallat e dasmave në Shqipëri e thonë edhe këngëtarët që janë ftuar për të marrë pjesë.

Këngëtari Afrim Muçiqi ka treguar se ai do të këndojë në katër dasma në Kukës.

Por, thotë se janë duke përgatitur një manual për organizimin e dasmave dhe ahengjeve të tjera në vend, ashtu që kosovarët të mos kenë nevojë të dalin jashtë vendit për t’i bërë dasmat.

“Po, dikund katër dasma deri tash janë bartë nga Kosova nga Shqipëri. I kam pranuar, meqenëse kam qenë i kontraktuar në Kosovë, por dasmori i ka zhvendos për shkak të pasigurisë. Këto dasma janë zhvendos para se të merren masat e reja.

Gjatë këtyre 14 ditëve që janë këto masat e reja, ne vec jemi duke përgatit manualin për dasma, ahengje dhe klube të natës, që të mos mbahen jashtë Kosovës”, ka thënë Muçiqi.

Edhe këngëtari Edi Furra thotë se ka marrë ftesa për të kënduar në disa dasma që pritet të organizohen në Shqipëri.

Ai thotë se dasmorët vetëm po presin se çka do të bëhet në Kosovë, për të filluar me rezervimet në qytete të Shqipërisë.

“Unë vitin e kaluar dy dasma vetëm i kam pas në Durrës, ndërsa për këtë vit janë tri rezervime të konfirmuara nga klientë të ndryshëm, me arsyetimin që t’i shëno datën dhe je 100 për qind i rezervuar dhe se nëse nuk më lejojnë me mbajtë dasmën në Kosovë, unë me çdo kusht do e mbajë në Shqipëri. Dmth tri i kam kështu e gjashtë të tjera kam marrëveshje me dasmorët më kanë thënë të shohim se ç’po bëhet në Kosovë dhe nëse nuk na lejojnë mbajtjen e dasmës atëherë do e diskutojmë me familje ose do e shtyjm edhe për një vit ose do të kalojmë në Kukës, Durrës, Tiranë apo edhe në Fushë Krujë”, ka thënë Furra.

Ftesa për të kënduar në dasmat e kosovarëve në Shqipëri po del të kenë pasur edhe këngëtarët Edona dhe Milot Llaloshi.

Por, menaxheri i tyre thotë se i kanë refuzuar, shkaku i situatës me pandeminë.

“Kemi pasur ftesa, por i kemi refuzuar. S’kemi dashur edhe të rrezikojmë për shkak të pandemisë”, ka thënë ai.

Negociatat për hapjen e sallave të dasmave në Kosovë kanë nisur qysh sot.

Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizimit, Hysen Sogojeva, ka deklaruar se po punohet që të arrihet një marrëveshje e mirë për hapjen e sallave të dasmave.

“Ministri Vitia nuk ka thënë se do të hapen sallat e dasmave. Nuk ka premtuar se do të hapen dasmat. Ne qysh sot do të hyjmë në negociata edhe me përfaqësuesit e sallave të dasmave që të arrijmë një marrëveshje sa më të mirë”, ka deklaruar Sogojeva.

Ndryshe, para gati gjashtë muajsh, Oda e Hotelerisë dhe Turizmit kishte përgatitur një manual se si do të mbahen dasmat dhe ahengjet në kohë pandemie.

Ky manual do të përdoret edhe tash, nëse lejohet organizimi i këtyre ahengjeve nga Ministria e Shëndetësisë.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë Sogojeva.

Bazuar në këtë manual, tash e tutje në hyrje të sallave do të angazhohet një infermier me një orar 2 orë pune, cili do t’ua kontrollojë temperaturën mysafirëve. Mëditja e tij do të jetë 30 euro dhe për pagesën do të kujdesen pronarët e sallave.

Rregulla të reja do të ketë edhe për kamerierët dhe të tjerët që do të angazhohen në shërbim.

“Punëtorët ose kamerierët do të shërbejnë me dorëza dhe do ta kryejnë shërbimin në një tavolinë me diametër 2m në të cilën do të lejohen të ulen maksimum 8 persona, distance 2m e tavolinës nga tavolina tjetër”, thuhet në manual.

Obligative do të jetë edhe posedimi i një liste me emrat e të pranishmëve në aheng që në rast të ndonjë shenje apo dyshimi të virusit të kenë adresë për gjurmim dhe këto shënime të ruhen së paku dy javë si dhe lokali afarist të paraqesë se cili punëtor ka shërbyer në ato tavolina.

Ndërkohë, i gjithë stafi do t’i nënshtrohet kontrollit mjekësor si gjithmonë nga mjekët sanitar.

Me manualin e ri, pronarët e sallave duhet të dezinfektojnë objektin, sallën, kuzhinën dhe të vendosin shenja paralajmëruese për kujdes të shtuar si dhe dezinfektues me bazë alkooli nëpër salla.

“Menaxhmenti do të ketë rol kyç dhe të jenë në nivel detyre me qëllim të respektimit të masave nga ana e stafit në mënyre efektive t’i kontrolloj pikat dezinfektuese brenda dhe jashtë objektit të kujdeset që ato të jenë të mbushura me produkte si sapun dhe dezinfektues të kujdesen në pastërtinë e stafit si dhe pauza të shkurta kohë pas kohe personat përgjegjësi të kontrollojnë zbatimin e masave”, thuhet tutje në manual.