Opinione

Kosova si Algjeria, jo si Krimeja e as si Ukraina Lindore

Kosova mund të krahasohet më së miri me Alg

Kosova mund të krahasohet më së miri me Algjerinë, në përpjekjet e saj për çlirim e pavarësi. Shikojini ngjashmëritë: Franca e pati aneksuar Algjerinë dhe e pati shpallur pjesë të shtetit francez, (1848) edhe pse algjerianët nuk ishin me asgjë francezë. Ashtu pati bërë edhe Serbia me Kosovën (1912.)

Shkruan: Milazim Krasniqi

Aneksimi i Krimesë nga Rusia nxori në qarkullim edhe
një krahasim të ri absurd të Kosovës me një vatër krize, si pasojë e agresionit
imperial rus, me atë të Krimesë, po edhe të Ukrainës Lindore. Këtë krahasim
fillimisht e lancoi vetë presidenti rus, Vladimir Putini. Ndërsa, ambasadori i
tij në Tiranë, Leonid Abramovi, e ka krahasuar intervenimin e armatës së
Ukrainës në lindje të vendit ndaj popullsisë rusofone, si të ngjashëm me
intervenimin e armatës serbe në Kosovë! Rusët po aneksojnë, po shkaktojnë
çrregullime në Ukrainë dhe pastaj po luajnë majtap, duke përmendur emrin e
Kosovës!

Përveç kalkulimeve diplomatike që bëjnë rusët, kjo ka
të bëjë me një defekt të madh lidhur me Kosovën: nuk është qartësuar ende sa
duhet rruga e ndërtimit të shtetit të Kosovës. Ky është një problem serioz për
shtetin tonë.

E keqja është se edhe para këtij krahasimi që bëjnë
rusët me vatrat e krizave që i shkaktojnë vetë në truallin e Ukrainës, Kosova
është krahasuar me lloj-lloj krizash e vendesh edhe nga aleatët e saj.
Krahasime absurde janë bërë me Tirolin, me Kataloninë me dy Gjermanitë, etj.
Kjo përzierje e elementeve të krizave, duke bërë përpjekje që prej tyre të
shpjegohet lufta çlirimtare e Kosovës dhe rruga e shtetndërtimit të saj, e ka
rritur konfuzionin ndaj saj dhe prej këndej edhe bllokimin e pranimit të saj si
shtet prej shumë shteteve të botës dhe organizatave ndërkombëtare.

Megjithatë, mbetet e ngritur pyetja: a ka qenë e
ngjashme me ndonjë krizë tjetër kriza e Kosovës dhe rruga e saj e
shtetndërtimit? Mua më duket se po. Kosova mund të krahasohet më së miri me
Algjerinë, në përpjekjet e saj për çlirim e pavarësi. Shikojini ngjashmëritë:
Franca e pati aneksuar Algjerinë dhe e pati shpallur pjesë të shtetit francez,
(1848) edhe pse algjerianët nuk ishin me asgjë francezë. Ashtu pati bërë edhe
Serbia me Kosovën (1912.) Serbia pushtoi tokën e shqiptarëve, të cilët ishin
një popull krejt tjetër me gjuhë, me kulturë, me fe e me gjithçka, ashtu sikur
ishin të ndryshëm edhe algjerianët në raport me francezët. Franca pati imponuar
një regjim segregues e diskriminues në Algjeri, ashtu që liritë dhe të drejtat
e kolonistëve francezë nuk vlenin për “qytetarët francezë” që ishin etnikisht
algjerianë. Njësoj pati bërë Serbia me shqiptarët në Kosovë. Pati sjellë
kolonistë dhe u pati dhënë statusin e qytetarëve të rendit të parë, duke u
dhënë privilegje të mëdha. Për të mbrojtur privilegjet e tyre, Serbia (dhe
Jugosllavia) me ligj pati ndaluar madje edhe shitblerjet ndërmjet shqiptarëve e
serbëve. Pas fillimit të rezistencës guerile dhe asaj të armatosur algjeriane,
Franca përdori Armatën në taktikat e saj të terrorit ndaj popullit algjerian.
Njësoj ka bërë edhe Serbia në Kosovë, duke përdorur armatën në ushtrimin e
terrorit, të vrasjeve në masë të civilëve, të djegies së vendbanimeve shqiptare
dhe të spastrimit etnik. Franca pati armatosur edhe kolonistët e kolaboracionistët.
Nësoj pati bërë edhe Serbia, veçmas në vitet nëntëdhjetë në Kosovë. Franca pati
përdorur edhe Legjiionin e të Huajve për terror e masakra ndaj popullsisë
civile. Të njëjtat taktika terrori ka përdorur Serbia në vitet 1998/1999 me
formacionet paramilitare, që kanë qenë të ngarkuara për të ushtruar terror e
masakra ndaj popullsisë civile.

Dallimi i vetëm në këtë mes është se qytetarët
francezë, iu kundërvunë politikës së terrorit e të gjenocidit të shteti të vet,
kur e kuptuan dhe u deklaruan me plebishit për largimin e shtetit francez nga
toka algjeriane. Dhe nga ai disponim u prodhua edhe politika e De Golit, që e
pranoi realitetin me marrëveshjen e vitit 1962. Ndërsa qytetarët e Serbisë,
edhe pse e kuptuan të vërtetën, masivisht u solidarizuan me politikën e shtetit
të vet kundër shqiptarëve të Kosovë. Rrjedhimisht, në Serbi nuk nuk mund të
lindte një De Gol serb. Prandaj u desh intervenimi i NATO-s për ndaljen e
gjenocidit të saj ndaj shqiptarëve dhe largimin e saj nga Kosova. Por, Serbia e
Rusia nuk e pranojnë këtë realitet. Prandaj i luajnë letrat si t’u vjen për
mbarë, duke e instrumentalizuar tregimin për Kosovën në projektet e tyre
imperiale e pansllaviste.

Prandaj, politika shqiptare e Kosovës dhe politika
shqiptare në përgjithësi, duhet të ndërtojë sa më shpejt një narracion të vetin
lidhur me Kosovën, historinë e saj të aneksimit nga Serbia, të luftës për
pavarësi dhe të çlirimit të saj. Kjo do të pengonte propaganduesit militarë
rusë që të mos e përdorin në mënyrë kaq abuzive Kosovën, sa herë duan të
arsyetojnë politikat e tyre të agresionit, duke i maskuar pas një shembulli
krejtësisht joadekuat. Ata këtë e bëjnë për të përfituar vetë e njëherësh për
ta dëmtuar Kosovën. (P.S. Për këto pesë vjet, nuk ka reflektuar asnjë politikan
i këtij vilajeti të vetëhumbur.)

MEDIAL.mk