tjera

Kosova pritet të përballet sërish me ajër të ndotur, këta janë muajt kur do të rritet niveli i ndotjes

Me rënien e temperaturave, në vendin tonë nis edhe ndotja e ajrit. Edhe këtë vit mund të përballemi me gjendje të njëjtë të ajrit sikurse vitin e kaluar. Kjo pasi që Qeveria e tanishme nuk ka ndërmarr ndonjë masë shtesë për parandalimin e ndotjes së ajrit në Kosovë. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) thotë se edhe këtë vit do të operojnë sipas planit të njëjtë për përmirësimin e ajrit të miratuar në vitin 2018 në Kuvendin e Kosovës. Kjo ministri pret që ky plan edhe këtë vit të zbatohet ashtu siç është paraparë nga akterët që janë të përfshirë në të.

Bajram Kadriu, zëdhënës i ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit ka thënë për Gazetën Objektiv se kjo ministri përmes Inspektoratit ka kërkuar nga disa institucione të ndërmarrin të gjitha masat e tyre për zvogëlimin e faktorëve ndotës të ajrit.

Reklamo bizensin tuaj ketu

“Është rritur niveli i bashkëpunimit dhe komunikimit me komunat e Kosovës dhe me organizatat e shoqërisë civile. MEA përmes Inspektoratit ka kërkuar nga KEK-u dhe operatoret e tjerë ekonomik që të ndërmarrin të gjitha masat teknike, profesionale dhe ligjore në zvogëlimin e emisioneve ndotëse në ajër”, tha Kadriu.

Veç këtij plani, ai ka përmendur edhe një projekt për kontrollin e ndotjës së ajrit në vend.

“Është duke u implementuar projekti i JICA-“Kontrolli i ndotjes së ajrit” përmes të cilit  është bërë inventarizimi i emisioneve në ajër, për të cilin janë bërë hulumtimet në teren për ndotjen nga amvisëria, shërbime publike e private, industritë dhe trafiku”, bëri të ditur më tej ai.

Në anën tjetër, Antigona Ukëhaxhaj nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka thënë se ky institucion është duke përcjell kualitetin e ajrit në komunat më të ndotura në vend.

Instituti është duke e përcjell kualitetin e ajrit në mënyrë sistematike. Veçanërisht në komunat të cilat kanë ndotje më të madhe siç është Prishtina, Gjilani, Mitrovica, Obiliqi dhe Drenasi”, tha Ukëhaxhaj për Objektivin.

Muaji nëntor e deri në fundin e janarit, sipas Ukëhaxhajt janë periudhat  kur Kosova karakterizohet nga cilësia e dëmshme e ajrit.

“Sipas të dhënave të OBSh-së dhe BE-së, muaji nëntor deri në fundin e muajit të janar, çdo ditë kemi tejkalime të parikullave. Jemi duke u futur në stinën e dimrit dhe po presin në fundin e tetorit dhe deri në muajin mars që t’i kemi përditësimet e situatës sa i përket ndotjes duke u bazuar edhe në kushtet hidrometeorologjike, se varët a do të ketë reshje të shiut”, ka pohuar ajo.

Meteorologu, Mendim Rugova ka përmendur mjegullën e cila do të shfaqet në muajt e ftohtë të vitit, që sipas tij është faktori që mbanë për një kohë të gjatë ajrin e ndotur në hapësirë.

“Tash do të hyjmë në një periudhë më të ftohtë kohore ku paraqiten edhe fenomenet e mjegullës. Mjegulla është një fenomen që e mban ndotjen e ajrit në përdhes, nuk e lejon me qarkulluar dhe aty fillojnë problemet”, tha Rugova për Gazetën Objektiv.

Dhjetori dhe janari sipas tij janë muajt kur në Kosovë vlera e ajrit të ndotur pritet të ketë rritje