Maqedoni

Konjufca: Për programin ekonomik jemi pajtuar 90 për qind me LDK-në

Më shumë se tri orë ka zgjatur takimi i grupeve punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku është biseduar vetëm për programin ekonomik.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje tha pas takimit se janë dakorduar në rreth 90 për qind të këtij programi me LDK-në, teksa pret të arrihet pajtim edhe për 10 për qind të temave, duke mos treguar se për cilat tema nuk janë pajtuar, me arsyetimin ‘e ruajtjes së mirëbesimit të bisedave’.

“Mund t’ju them që janë ngritë mbi 40 tema të ekonomisë dhe mund të them që mbi 90 për qind prej tyre jemi pajtuar se çfarë reformash do të duhej të merrte Qeveria e ardhshme. Për disa, ndoshta dhjetë për qind nuk kemi gjetur dakordime finale, por që do t’i kurorëzojmë në takimet e ardhshme. Jo nuk mund t’ju tregoj, sepse mendoj që kjo e çrregullon mirëbesimin e negociatave në të cilat jemi aktualisht. Mendoj se duhet ta ruajmë një lloj mirëbesimi të bisedave dhe të procesit në të cilin jemi. Kështu që unë mendoj se edhe ato 10 për qind do të zgjidhen, nuk mendoj se janë tema më të rëndësishme. Për temat më të rëndësishme kemi gjetur pajtim, mirëpo ne duam të dakordohemi që të mos jetë asgjë e pa sqaruar”, tha Konjufca.

Ai ka mohuar të kenë folur për poste ministrore, por kanë biseduar për projekte konkrete ekonomike për një plan të qartë të zhvillimit ekonomik.

“Pra, ka qenë një lloj përballje e programit vetëm të nivelit ekonomik të LDK-së me atë të VV-së. Pra është bërë fjalë për programe të detajizuara. Në fushatën elektorale LDK dhe VV janë fokusuar mjaft shumë në ekonomi. P.sh. VV e ka pasur Fondin sovran, Bankën Zhvillimore, përderisa LDK e ka pasur Fondin Investiv. Dhe si këto që po i përmendi kanë qenë së paku 20-30 premtime të caktuara të partive politike. Tash ne këto duhet t’i fuzionojmë dhe të gjejmë pikat e përbashkëta dhe të krijojmë prej këtyre dy programeve që kanë qenë gjatë fushatës zgjedhore edhe primitive me të cilat ne i kemi fituar zgjedhjet të mund të dakordohemi deri te një plan i qartë i zhvillimit ekonomik”, tha ai.

Konjufca tha se diskutimet do të vazhdojnë për drejtësi, çështje sociale, arsim dhe shëndetësi. Ai theksoi se brenda katër takimeve do të ndodhë një konkludim pothuajse 100 për qind i pajtimeve të VV-së dhe LDK-së për qeverinë e ardhshme./kosovapress

Loading…