Lajme

Komisioni i Jashtëm miraton raportin e PE: Shqipëria të dënojë blerjen e votës

Teksa kusht për çeljen e negociatave mbeten zgj

Teksa kusht për çeljen e negociatave mbeten zgjedhjet e 25 Prillit, bashkë me të tjerat, Këshilli i Evropës nuk harron dënimin e atyre që prekin apo vjedhin votat. Ndjekja penale e atyre që akuzohen për blerjen e votave është ndër kushtet e vendosura nga Këshilli Europian ndaj Shqipërisë për negociatat, njofton Insajderi.

Kështu shkruhet në raportin për progresin e vendit tonë drejt Bashkimit Europian, i miratuar në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian. Në dokument, reporterja për Shqipërinë, Isabel Santos, u fokusua në 15 kushtet për çeljen e negociatave. Kjo deklaratë e Santosit vjen vetëm disa ditë pas vizitës që pati kryeministri në Bruksel dhe prej nga tha se “nuk kemi më asnjë kusht, jemi gati për tryezën ndërqeveritare për çeljen e negociatave”.

Raporti thekson se zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit do të jenë kyçe për konsolidimin dhe rinovimin e procedurave dhe strukturës demokratike të vendit si dhe për arritjen e një niveli të lartë të stabilitetit politik.

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë thelbësore për integrimin në BE”, shkruhet në dokumentin e aprovuar në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian. Aktorëve politikë në Shqipëri u bëhet thirrje që të zhvillojnë fushatë të pastër, pa dezinformim, intimidim dhe akuza false, njofton A2 CNN.

Ndër të tjera, PE e sheh me shqetësim fenomenin e pastrimit të parave në vendin tone dhe bën thirrje për përshpejtimin e Reformës në Drejtësi, që të bëhet funksionale sa më shpejt, pasi është një parakusht për organizimin e tryezës ndërqeveritare për negociatat. Gjithashtu, rekomandon edhe caktimin e një shefi negociator dhe ekip për negociatat mes BE-së dhe Shqipërisë për të adresuar kushtet dhe prioritetet e dala nga konkluzionet e Këshillit në mars të 2020-s./Insajderi.com