Lajme

Kokainë në lokalet e Astirit, shpërndarësi kapet me 60 gramë

Policia e Tiranës ka arrestuar një 32-vjeçar

Policia e Tiranës ka arrestuar një 32-vjeçar që shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë në lokalet e zonës së “Astirit” në kryeqytet. I arrestuari me iniciale A.T. u kap në flagrancë në një lokal teksa po përgatitej t’u shiste kokainën disa klientëve. Nga kontrolli që iu bë më pas makinës dhe banesës së tij, u gjet një tjetër sasi kokaine, përzierës lënde narkotike dhe peshore elektronike.
Në total u sekuestrua 60.2 gramë kokainë.

Njoftimi i policisë

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative, falë dhe bashkëpunimit me qytetarët, arrestoi në kuadër të operacionit policor të koduar “Astiri”, shtetasin:

A. T., 32 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas u kap në flagrancë në një lokal në zonën e Astirit, me doza lënde të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të cilat do ua shiste klientëve që frekuentonin këtë lokal.

Në vijim është ushtruar kontroll në banesën dhe në mjetin e këtij shtetasi, ku i janë gjetur një tjetër sasi me lëndë narkotike të llojit kokainë, përzierës lënde narkotike dhe peshore elektronike.

Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale:

60.2 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë;
dy shishe me përzierës lënde narkotike;
peshore elektronike;
dy aparate celulare.

Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.


Etiketa: , , , , , ,