Kult

KOÇO RISTANI, pas burgut politik, nga teatri në bonifikim

Historia e një artisti, art, dënim e ringritje

Historia e një artisti, art, dënim e ringritje dhe restaurime mbresëlënëse





Ylli Drishti  –  Piktori restaurator Koço Ristani, zë një vend të veçantë në historinë e restaurimit të veprave të artit në Shqipëri. Figura e Koço Ristanit është shumëplanëshe, pasi ai është piktor, skenograf, kostumograf, dekorator, grafist, restaurator i veprave të artit mesjetar (ikonave).

Koço Ristani lindi në Korçë më 8 maj 1943 në familjen e Kristaq Ristanit dhe Fillareta (Marko) Ristanit. Kristaqi apo Kiço Skorovodi (siç njihej), vjen nga një familje e njohur në zonën e Vithkuqit ku ai ishte disa vjet kryetar komune, çoi dritën elektrike dhe ujin në Vithkuq. Në shtëpinë e tij në Vithkuq ka qëndruar shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë Nac.–Çl. Nga martesa e Kristaqit me Fillaretën lindën dy binjakë Koço dhe Tamara.

I pasionuar pas pikturës Koço që fëmijë kishte pasion vizatimin. Ai mori mësimet e para nga piktori Vangjush Mio, por studimet për pikturë, Ristani i kreu në Liceun Artistik ”Jordan Misja”, Tiranë (1960-1964) në klasën e pedagogëve Abdurrahim Buza, Kel Kodheli, Sadik. Kaceli dhe Janaq Paço. Ai ishte bashkënxënës me Vlash Drobonikun dhe Timo Luton. Gjatë viteve 1964 – 1969, Ristani kreu Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë në atelienë e pedagogëve Nexhmedin Zajmi, Vilson Kilica, Sali Shijaku, Pandi Mele dhe Muntaz Dhrami. Pas studimeve kthehet në vendlindje – Korçë dhe ishte skenograf në Teatrin “Andon Zako Çajupi”. Koço Ristani si skenograf ka realizuar skenografitë dhe kostumografitë e pjesëve teatrale të këtij teatri, por edhe ato të Teatrit të Kukullave, të Teatrit të Estradës si edhe të gjithë spektakleve, koncerteve, konferencave, simpoziumeve të ndryshëm me karakter politik dhe kulturor. Si skenograf, artisti Ristani ju largua mënyrës tradicionale të një skenografie të ngarkuar e objekte, të konceptuar me prirje natyraliste, duke synuar gradualisht krijimin e një hapësire më të gjerë për lojën e aktorit, duke synuar ndërthurjen e dekorit me lojën e aktorit, pra realizimin e një skenografie simbolike dhe funksionale (skenografia e dramës “Të pamposhturit”, “Karnavalet e Korçës” etj.). Ai bashkëpunoi me regjisorët e mëdhenj shqiptarë si: Mihallaq Luarasi, Pirro Mani, Dhimitër Orgocka etj. Skenografi Ristani krijoi dhe realizoi skenografitë e shumë dramave të huaja dhe atyre shqiptare. Në vitin 1953 i ati

i Koços, Kristaq Ristani–kryellogaritar në Ndërmarrjen ushtarake-Tiranë (një mbështetës material dhe moral i lëvizjes antifashiste gjatë luftës antifashiste Nac.- Çl.) dënohet me 8 vjet burg politik (por lirohet më 1958). Kjo biografi, me thellimin e luftës së klasave, sidomos pas vitit 1974 shkaktoi që Ristani i ri (artist) të largohet nga teatri dhe të dërgohet të punojë për rreth 2 vjet si punëtor në ndërmarrjen e bonifikimit të qytetit dhe më tej ai ishte piktor në ndërmarrjen artistike.

Në vitin 1980 Koço Ristani ishte pjesë e grupit të parë të restauratorëve të veprave të artit mesjetar në MKAM, Korçë, së bashku me Kristofor Naslazin, Tatiana Cacën dhe Vladimir Poreçin. Ristani gjatë 33 vjetëve në këtë muze (1980 -2013), ka realizuar punime konservuese & restauruese në 230 ikona të shekujve XIV- XIX, të ikonografëve anonim dhe të njohur shqiptarë. Ndër këto ndërhyrje mund të kujtojmë: restaurimi i ikonës me titull: ”Shën Maria” (shek.XVI), “Shën Mëhilli i Oparit ” (shek.XIV), “Sinodi i parë Ekumenik” 1765, të ikonografit Athanas Zografit; Ikonat e mëdha me titull: “Joan

Pagëzori” dhe “Gjithë shenjtorët” të ikonostasit të madh të Muzeut me autor ikonografët Kostandin dhe Athanas Zografi. Në listën e gjatë të restaurimeve të ikonave sigurisht bëjnë pjesë dhe ikonat e mjeshtërve ikonografë shqiptarë Kostandin Shpataraku, David Selenica, të vëllezërve Zografi, ikonografëve të Dinastisë familjes Çetiri, të Mihal Anagnostit, ikonografëve nga fshati Dardhë etj. Koço Ristani ishte pjesë e grupit të restauratorëve shqiptarë që në bashkëpunim me Muzeun Bizantin të Selanikut, kryen për gjashtë vite me radhë (2000-2006) ndërhyrje të plota restauruese në koleksionin prej 88 ikonash të fondit të MKAM, Korçë. Energjik, i pasionuar ndaj punës si restaurator, Ristani, ka rolin e tij të rëndësishëm si një mjeshtër specialist në ndërhyrjet më të vështira që janë kryer në Laboratorin e Restaurimit në Muzeut. Shumë nga ikonat e restauruara prej Ristanit janë të ekspozuara në sallat e Muzeut të ri të artit mesjetar në Korçë. Koç Ristani është një figurë shumëplanëshe si intelektual dhe qytetar korrekt dhe i nderuar. Koço u bë iniciatori kryesor dhe realizuesi i festës së Karnavaleve të qytetit të Korçës duke filluar nga viti 1994 e në vazhdim. Ai u zgjodh Zv/President i Shoqatës Kombëtare të Karnavaleve të Shqipërisë, por energjia e tij pozitive dhe pasioni bënë që Karnavalet të festohen ç’do vit në qytetin e Korçës, duke e kthyer Korçën në vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

Piktori RISTANI

Piktori Koço Ristani ka marrë pjesë me veprat e tij në pikturë e në të gjitha ekspozitat lokale dhe ato kombëtare (1969-1990), duke realizuar kompozime, peizazhe, portrete, natyra të qeta. Ristani piktor ndikohet nga arti artistëve të traditës Vangjush Mio, Abdurrahim Buza, Kel Kodheli, Sadik Kaceli,

Skënder Kamberi. Ai realizon kryesisht tema nga qyteti i tij duke qënë një piktor realist. Të këtyre viteve janë dhe tablotë: ”Dëborë në Tiranë”; “Ditë dimri në Korçë”; “Çlirimi i Korçës”(kompozim). Pas viteve 1990, artisti ju kushtua kryesisht peizazhit urban të qytetit të Korçës dhe atij të zonës rreth saj (Voskopojë, Vithkuq, Pogradec, Ersekë). Ai pikturon rrugët dhe rrugicat karakteristike, vjeshtën e artë në zonën malore si dhe portrete të njerëzve të thjeshtë, apo dhe natyra të qeta me një penelatë pa shumë detaje, duke i dhënë prioritet emocionit të momentit. Penelata e artistit në ciklet piktorikë të periudhës pas viteve 1990 ishte më e lirshme, shpesh ndjehet prirja drejt largimit nga vizatimi rigoroz i imazhit apo dhe objekteve. Ristani i realizoi tablotë e tij me prirje impresioniste, duke mos u ndalur tek detajet apo planet e para. Ai e organizon tablonë herë me tone të qeta harmonike dhe herë me një graficitet të lehtë e delikat. Punimet e tij ruajnë vërtetësi dhe freski ngjyruese. Piktori Ristani ka ekspozuar për herë të parë në një ekspozitë kolektive në qytetin e vogël të Ballshit (Fier, 1973). Ristani ishte pjesëmarrës

gjatë viteve 1970 – 1990 në ekspozitat, konkurset lokalë dhe kombëtarë të kohës ku mund të kujtojmë: ”Rinia në aksion” (1970);”Kthim nga qitja” (1975); “Në bonifikim” (1976); “Dimri” (1981, GKA, Tiranë); “Mësuesja” (1982); “Fusha e Korçës” (1984); “Punëtorja” (1986) etj. Ai ekspozoi në disa ekspozita kolektive në qytetin e Korçës dhe Pogradecit (1980-1990). Pas viteve 1990 Ristani ka ekspozuar edhe jashtë Shqipërisë me ekspozita vetjake dhe kolektive. Ndër këto ekspozita mund të kujtojmë: në Kaliningrad (1994, Rusi, ku shpallet i ftuar nderi nga Duma Ruse), Janinë – Greqi (1995, ekspo.solo) , Bllagojevgrad (1995, Bullgari), Norçeping (1995, Suedi (ekspozitë solo me pastele dhe akuarele), Kozanë–Greqi (2007). Ristani duke filluar nga viti 2008 e në vazhdimësi ka qenë pjesëmarrës në Koloninë Ndërkombëtare “Ditët e Mios”, që u inicua nga Kryetari i Bashkisë Niko Peleshi, por edhe në Kolonitë e artistëve të organizuara në qytetet e Durrësit dhe Elbasanit. Artisti Koço Ristani vlerësohet edhe për akuarelet dhe pastelet e tij të veçanta, ku ndjehet një kolorit I pasur e me dritë. Gjatë krijimtarisë së gjatë mbi 50 vjeçare artisti ka realizuar rreth 800 vepra në gjini dhe teknika të ndryshme.

Nga krijimtaria e artistit Koço Ristani në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë ndodhet vepra “Dimër në Korçë” (1981), në Galerinë e Arteve, Korçë ndodhen 16 peizazhe dhe portrete. Vepra të Ristanit ndodhen edhe në koleksionet e private në: Austri, Belgjikë, Greqi, Francë, Itali, SHBA, Suedi.

Koço Ristani aktualisht jeton ndërmjet Korçës dhe Tiranës. Një koleksion i bukur e i pasur me peizazhe, natyra të qeta dhe portrete nga krijimtaria e mjeshtrit ndodhet në “Art hause” (shtëpia e tij, Korçë) dhe në studion e piktorit në qendër të qytetit. Imazhi i piktorit Koço Ristani është një ndër figurat e respektuara të një artisti që ka dhënë kontributin e tij të rëndësishëm në artin e qytetit të tij Korçë, por edhe në historinë e arteve pamore të Shqipërisë.

*Studiues, kurator arti