Lajme

KLP kërkesë Arta Markut: Nisni hetim disiplinor për prokurorin Ndoj

Paralelisht me hetimin penal për atentatin e D

Paralelisht me hetimin penal për atentatin e Durrësit, duket se do të nisë edhe një hetim disiplinor për prokurorin e plagosur Arjan Ndoj. Këshilli i Lartë i Prokurorisë përmes një shkrese zyrtare i kërkon Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku të nisë hetimin disiplinor ndaj prokurorit. KLP e bën këtë kërkesë nisur nga një kronike televizive; Pra bazuar në lajmin e dalë në televizionin “A2”, KLP pretendon se prokurori ka një studio avokatie dhe kjo është shkelje ligjore.

Kërkesa që KLP i ka dërguar Markut, e plotë më poshtë:

Tiranë me datë 6.11.2019

Lënda: Kërkesë për nisjen e hetimit disiplinor

PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM

T I R A N Ë

E nderuar znj. Marku,

Ngjarja e ndodhur në datën 01.11.2019, në mbikalimin e Shkozetit, ku u qëllua me armë zjarri ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoji, dhe si rezultat i atentatit mbetën të plagosur, prokurori Arjan Ndoji, shoferi i tij, Andi Maloku si dhe një person tjetër i identifikuar me emrin Aleksandër Laho, është një ngjarje e rëndë në rradhët e magjistratëve si dhe të sistemit të drejtësisë në vend.

Nisur nga të dhëna paraprake si dhe nga një prononcim dhëne për median “A2 News” nga prokurori Ndoji, bëhet me dije fakti që prokurori drejton prej kohësh një studio ligjore ku ofron konsulencë ligjore për cështje të ndryshme. Ky fakt nëse do të rezultonte i vërtetë, do të përbënte shkelje disiplinore të parashikuara në nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 160/5 i Ligjit 96/2016“Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” si dhe nenit 194/2 gërma ç, i Ligjit 115/2016“Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ngarkojnë Prokurorin e Përgjithshëm me detyrën qe të hetojë të gjitha pretendimet për shkeljet disiplinore në rradhët e prokurorëve për sa kohë nuk është krijuar Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.

Sa më lartë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në nenin 119 të ligjin 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, kërkon nga ana Juaj, nisjen e një hetimi disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoji, duke gjykuar nëse janë konsumuar apo jo prej tij shkeljet disiplinore të parashikuara nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Kronika e A2 CNN

Arjan Ndoja pohon se ai nuk është ndjerë në asnjë çast i kërcënuar me jetë, deri në momentin që emri i tij është lakuar në media.

Me krah të lidhur dhe me shenja ende të dukshme në trup dhe fytyrë, prokurori i Durrësit qëndron nën survejimin e mjekëve në repartin e Ortopedisë në Durrës.

Jashtë dhomës së tij qëndrojnë dy efektivë policie dhe shumë familjarë. Në një takim të shkurtër me të, ku ishte e pamundur të filmohej, Arjan Ndoja tha për A2 se në bagazhin e makinës së tij ndodheshin disa shkresa, dokumente dhe fotokopje të dosjeve për të cilat ai ka ofruar konsulencë ligjore.

“Unë prej kohësh drejtoj një studio ligjore, ku ofroj dhe konsulencë ligjore për çështje të ndryshme. Ndër to janë disa çështje që lidhen me pronat, por edhe çështje penale për të cilat unë jam njohës dhe sugjerues. Shpresoj që prokuroria të tregohet objektive në hetim, pasi këto janë gjëra të ditura dhe unë nuk kam shkelur asnjë ligj apo të drejtë”, tha Ndoja.

I vënë nën akuza për bashkëpunim me grupe kriminale, Arjan Ndoja tha se kurrë nuk ka shpërdoruar detyrën dhe në asnjë rast nuk i ka shërbyer askujt për të përfituar: “Nuk jam ndjerë asnjëherë i kërcënuar, ndryshe do të kisha marrë masa të mbrohem. Çdo gjë kisha pritur, vetëm këtë jo. Kisha menduar që mund të më çonin në prokurori, duke më ngritur akuza, por jo deri tek arma. Unë nuk i trembem askujt. Asgjë nuk kam bërë në kundërshtim me ligjin dhe nuk jam shoqëruar kurrë me kriminelë”.