Lajme

Klinaku për Gërvallën: Duhet të tregojë nëse ka dërguar dosje në Speciale

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, deklaroi të martën se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, duhet të tregojë nëse ka dorëzuar dosje në Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Kjo kërkesë e Klinakut është bërë pas publikimit të një deklarate të para disa vitesh të ministres Gërvalla, kur thoshte se do të dërgojë materiale në Hagë, posa të formohet Gjykata Speciale, materiale këto që sipas saj, zbardhin vrasjet e kryera në Kosovë.

Sipas tij, nuk është e nevojshme që dikush nga Kosova të dërgojë dosje kundër luftës së UÇK-së, pasi këtë punë e ka kryer Prokuroria Serbe.

“Individët nuk mund të dërgojnë dosje në Speciale dhe nëse ka dërguar le të tregojë, por mendimi ynë është që s’ka nevojë sepse mbi 700 mijë dosje i ka dërguar vetë Serbia për ta gjykuar luftën tonë”, tha Klinaku në një prononcim për Insajderi-n.

Ai tutje shtoi se ata të cilët nuk besojnë në drejtësinë e vendit, nuk mund të emërohen në pozita shtetërore.

“Njerëzit që nuk i besojnë sistemit tonë të drejtësisë nuk mund të emërohen ministra, ky është absurditet i llojit të vet”, pohoi Klinaku.

Në fund, ai theksoi se “si OVL do të kërkojmë nga institucionet që ta shqyrtojnë çështjen e mandatit të Speciales, sepse i ka skaduar para pesë viteve”.

Reagime kundër deklaratës së Donika Gërvalles ka pasur edhe nga partitë politike. Madje, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqjen e saj, apo shkarkimin nga Qeveria. Ndërsa, kjo e fundit, akoma nuk është deklaruar lidhur me këtë çështje./Insajderi.com