Lajme

Klandestinët/ Trafikanti nga Hasi bie në rrjetën e gazetës britanike

Një trafikant shqiptar qesh me tragjedinë e 3

Një trafikant shqiptar qesh me tragjedinë e 39 emigrantëve të gjetur të vdekur në një kontenier transportues duke thënë: “Thjesht shorti i fatit”. Me këtë titull të madh është hapur gazeta britanike “Mail on Sunday” që ka sjellë historinë e shqiptarit Kastrijot Ahmati i cili është i përfshirë në trafikun e klandestinëve.

Shqiptari nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me rastin e fundit tragjik, por gazetarët janë përpjekur që më anë të tij, të kuptojnë se si funksionin ky trafik njerëzish nëpërmjet kamionëve dhe kontejnerëve. Shqiptari ka pseudonimin “Kace Kace”, por në fakt sipas gazetarëve quhet Kastrijot Ahmati. Ai jeton në Walthamstow, në verilindje të Londrës. Ai pretendon se edhe vetë ishte kontrabanduar në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar në pjesën e pasme të një kamioni.

Ahmati reklamon shërbimet e tij online dhe madje ka të postuar edhe numrin e tij celular në një faqe në Facebook të quajtur “Shqiptarët në Londër”, e cila ka më shumë se 16 mijë ndjekës.

Kur një gazetare e fshehtë kontaktoi me të, ai i tha asaj se duhet të paguante 17 paund për “letra false” që do t’i lejonin asaj të fluturonte nga kryeqyteti shqiptar, Tirana për në Angli.

Përndryshe, ajo mund të paguante 14 paund për t’u futur në pjesën e pasme të një kamioni nga Belgjika, origjina e kontejnerit në të cilin vdiqën 39 personat javën e kaluar. Shqiptari i tha gazetares së fshehtë se udhëtimi nga Belgjika mund të zgjasë nga 12 deri në 16 orë, në varësi të faktit nëse trageti vonohet.

“Unë e kam bërë vetë”, – tha ai. “Po mundohem t’ju gjej mënyrën më të lehtë, a e kuptoni?”

Reporterja pohoi se ajo dëshironte të udhëtonte me një anëtar tjetër të familjes, por asaj iu tha që do të duhej të kontrabandohej me emigrantë të tjerë përndryshe bandat e trafikimit të njerëzve do të kishin “asnjë fitim”, citon lapsi.al. Ajo do të paguante me mbërritjen në Mbretërinë e Bashkuar, por Ahmati kërkoi të dhënat personale të një mikut të saj ose të afërmi në Londër i cili do të garantonte paratë. Sipas “Mail on Sunday” Ahmati prezantohet si pjesë e një rrjeti të tërë që merret me trafikimin e personave të dëshpëruar të cilët vënë jetën e tyre në rrezik.

Në një telefonatë të bërë në Facebook me gazetaren e fshehtë, ai i minimizoi rreziqet vdekjeprurëse të udhëtimit me kamion dhe për 39 viktimat e kamionit të fundit duke qeshur tha: “Ishte fati i keq i tyre”. Ai i tha gazetares se kontrabandimi në një kamion nga Belgjika ishte i sigurt dhe se ai kishte udhëtuar vetë në Britani të Madhe i fshehur në një kamion.

“Unë e kam bërë vetë. Unë erdha vetë me grupin që ju përmenda, me bashkatdhetarët e mi”. Kur gazetarja i tha se ishte e frikësuar pas tragjedisë së javës së kaluar, trafikanti iu drejtua: “Ishte fati i keq. Kështu kemi ardhur të gjithë”.

Gazetarja këmbënguli edhe një herë duke i thënë fjalët: “Do të vdesim edhe ne?” ai ia ktheu duke qeshur sërish: “Unë nuk di çfarë të them, unë po ju tregoj rrugën më të shpejtë dhe më të shkurtër për në Britaninë e Madhe. Betohem për Zotin”. Më pas i thotë që të bëhet gati se udhëtimi mund të ndodhë në fund të javës: “Ndoshta do të thonë nga fundi i javës. E kupton?”

Sipas “Mail on Sunday” trafikanti shqiptar është nga Hasi.

“Është një zonë në veri të Shqipërisë që mendohet se ka sjellë në Britaninë e Madhe me qindra emigrantë. Nuk dihet sa kohë ka ai në vendin tonë, por nga postimet në Facebook mendohet se ka këtu që nga shtatori 2018. Në fillim të këtij muaji postoi një video duke pirë cigare dhe duke shëtitur pranë një stacioni treni në Londër” – shkruan Mail on Sunday.

Një natë përpara se të botonin shkrimin gazetarët britanikë e morën në telefon dhe i kërkuan një koment zyrtarisht, por ai u ktheu përgjigje përmes një shoku dhe u tha se bëhej fjalë për një shaka. Gazetarët i kërkuan të jepte shpjegime për aktivitetin e tij, por ai mbylli numrin e telefonit dhe fshiu faqen e tij në Facebook të quajtur “Kace Kace”. Sipas gazetarëve britanikë, Ahmati është një nga 4 shqiptarët që kontrollon edhe faqen “Shqiptarët në Londër” dhe që ndihmon patriotë të tij për të hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe.

Agjencia Kombëtare Britanike Kundër Krimit (NCA) raportoi vitin e kaluar se bandat shqiptare që vepronin në vend “ishin mjaft të sofistikuara” dhe se ishin kryesisht përgjegjëse për rritjen e emigrantëve që kontrabandoheshin në këtë vend.

Numri i përgjithshëm i viktimave të njohura të skllavërisë dhe trafikimit modern u rrit me 80% nga 2016 në 2018-ën kur u regjistruan 6993 persona. Ata vinin nga 130 vende, nga të cilët 1625 numëroheshin nga Shqipëria.

David Wood, ish-drejtori i përgjithshëm i imigracionit në ministrinë e Brendshme britanike tregoi se si vepronin trafikantët shqiptarë.

“Grupet e trafikantëve kanë agjentë në vendet e burimit. Kjo përfshin edhe Kinën, Afganistanin, Irakun, Afrikën Sub-Sahariane dhe nënkontinentin Indian. Këta agjentë mbështesin mitin, “Ejani në Mbretërinë e Bashkuar, është vendi i qumështit dhe i mjaltit “.

Gazetarët thanë se të gjitha regjistrimet e kryera, përfshirë edhe identitetin e Ahmatit, janë vënë në dispozicion të policisë. Një zëdhënës i forcave të rendit tha se çdo informacion i rëndësishëm do t’u kalohej oficerëve të hetimit.

/Lapsi.al