Sport

KF Prishtina mposhtet nga Gjilani, trajneri thotë se nuk e merituan as barazimin

KF Prishtina është mposhtuar nga skuadra e Gjilanit në mesditën e së dielës. Ndeshja e zhvilluar në Prishtinë përfundoi me rezultat 2-0 në të mirë të mysafirëve.

Trajneri i KF Prishtinës, Zekerija Ramadani, pas disfatës ka thënë se në bazë të lojës që kanë zhvilluar, nuk e kanë merituar ndoshta as barazimin. Ai ka deklaruar se kanë marrë aq sa kanë dhënë, duke shtuar se skuadra e tij krijoi raste shënimi por pa konkretizime.

Reklamo bizensin tuaj ketu

“Sot e para që nuk shkoi ishte grinta dhe agresiviteti që duhej ta kishim sidomos në mesfushë aty ku dështuam. Golin e parë e pranuam nga penalltia, por ky është futboll, duhet pas pranimit të golit të reagoj skuadra. Sa dhamë sot aq edhe morëm. Dhamë pak dhe humbëm ndeshjen. Në 20-minutat e fundit të ndeshjes i futëm të gjitha mundësitë që i kishim për të qenë më të rrezikshëm ku arritëm të nxjerrim një penallti, të krijojmë raste, nuk i shënuam. Ndoshta nuk e merituam as barazimin dhe për këtë nuk erdhi”, ka thënë Ramadani, përcjell faqja e KF Prishtinës në Facebook.

Me këtë fitore, Gjilani është në pozitën e tretë me 13 pikë, ndërsa Prishtina në të katërten, me dy pikë më pak.