Lajme

Kërcënimi ndaj prokurorit Naim Abazi, reagon Kryeprokurori i Shtetit

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka reaguar lidhur me kanosjen ndaj prokurorit të Prokurorisë Speciale, Naim Abazi, e cila vjen si rrjedhojë e veprimeve të ndërmarra nga ai gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare si prokuror.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin se kanosja ndaj prokurorit Abazi është duke u trajtuar me prioritet dhe seriozitet të lartë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në mënyrë që kërcënuesi sa më parë ta marrë dënimin e merituar.

Më këtë rast, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit qëndron afër të gjithë prokurorëve duke iu ofruar mbështetjen e plotë për punën dhe përkushtimin e tyre në ushtrimin e funksionit kushtetues dhe ligjor në hetimin dhe ndjekjen e të gjithë kryeseve të veprave penale”, thuhet në njoftim.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes këtij njoftimi ka siguruar opinionin dhe qytetarët se kërcënimet ndaj prokurorëve nuk do t’i zmbrapsin asnjë hap dhe në asnjë mënyrë përpjekjet e tyre të vazhdueshme për forcimin e shtetit ligjor”, thuhet në reagim.