Kosovë

KEDS-i dhe KOSTT-i nuk tregojnë kur zgjidhet problemi me rrymë në “Bregun e Diellit”, është shkaktuar prishja shkaku i mbingarkesës

Që nga dje, banorët e lagjes “Bregu i Diellit” në Prishtinë po ballafaqohen me mungesën e energjisë elektrike.

Banorët në atë pjesë janë duke u ankuar për shkak që ka më shumë se 12 orë që nuk kanë energji elektrike.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Gazeta Express ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala i cili tha se është paraqitur një defekt në një trafo që është në pronësi të KOSTT-it. Prandaj, ata nuk e dinë se kur mund të rregullohet ky defekt.

“Në një pjesë të Lagjes Bregu i Diellit ka defekt që po paraqitet në një trafo të KOSTT’it. KEDS është duke e bërë maksimumin për t’i furnizuar konsumatorët me energji elektrike edhe të asaj pjese. Por, në momentin kur lëshohet po reagon trafo e KOSTT’it. Ekipet kanë qëndru aty gjatë gjithë natës dhe vazhdojnë të jenë aty duke bë maksimumin që të rikthehet sa më shpejt të jetë e mundur. Por, pasi bëhet fjalë për ndërprerje që po shkaktohet në pjesën që është në përgjegjësi të KOSTT’it, atëherë nuk mund të flasim për detaje”, tha zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe me zëdhënësen e KOSTT-it, Zana Bajramin, e cila tha se pengesat në furnizim me energji elektrike në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë janë si pasojë e rritjes së konsumit gjë që ka ndikuar në paraqitjen e disa defekteve .

Bajrami nuk tregoi se kur banorët e kësaj lagjeje do të furnizohen me energji elektrike dhe për këtë thotë se duhet të kontaktohet me KEDS-in.

“Pengesat në furnizim me energji elektrike në Prishtinë, përkatësisht në Bregun e Diellit janë si pasojë e rritjes së konsumit gjë që ka ndikuar në paraqitjen e disa defekteve në rrjetin distributiv të nivelit të tensionit 10kV të cilat po reflektojnë edhe në sistemin e transmetimit. Ekipet profesionale të KEDS dhe KOSTT aktualisht janë duke e analizuar situatën dhe po konsultohen për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës. Për më tepër ju lutemi që për këtë çështje të kontaktoni me KEDS”, tha Bajrami.

Ndëras, KEDS ka njoftuar qysh dje se do të ketë punime intensive në disa pjesë të Prishtinës. Madje për sot është njoftuar se nga ora 09:00 deri në orën 21:00 nuk do të ketë energji elektrike në lagjen Mati.