Kronika e Zezë

Karburanti që shkaktoi 16 aksidente/ Si u devijua rruga që mori jetën edhe të dy fëmijëve

Prokuroria e Durrësit ka kërkuar arrestimin e 9 zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, pasi akuzohen për shpërdorim detyre.

Konkretisht, në kilometrin e tretë, në rrugën nacionale Plepa-Kavajë, ndodhet një pikë furnizimi me karburant, i cili dyshohet se është ndërtuar dhe ka marrë leje në kundërshtim me ligjin.

Për këtë rast janë kryer hetime ndaj të dyshuarve, specialistë inxhinierë të ARRSH si dhe drejtorëve të drejtorive të ARRSH-së dhe anëtarëve të Këshillit Teknik.

Siç raporton gazetarja Glidona Daci për ABC Neës deri më tani në pranga janë vënë 3 prej zyrtarëve dhe 6 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Ndërkohë detaje të reja janë zbardhur nga dosja e prokurorisë.

Gazetarja Glidona Daci raporton se nga hetimi ka rezultuar se karburantin i shtetasit Mustafa Koka, dyshohet se është ndërtuar dhe ka marrë leje ne kundërshtim me ligjin, por shkeljet janë gjetur edhe tek hyrja dalja e këtij biznesi, si dhe zhvendosja e mbikalimit të këmbësorëve.

Sipas prokurorisë vendosja e pikës së karburantit është kthyer në pikë rreziku në vendin ku ndodhet, si edhe nuk i plotëson në mënyrë të sigurt kërkesat e sigurisë rrugore për qarkullimin e mjeteve.

“Përfundimisht ,  ky objekt nuk përmbush kushtet teknike  referuar Kodit Rrugor te Republikës se Shqipërisë si dhe V.K.M 493 date 22/7/2014 mbi miratimin e rregullores se zbatimit te kodit rrugor te ndryshuar.

Me kolaudimin pjesore te ketij objketi  jane shkelur nenet 16, 18 dhe 20 te  K Rrugor se bashku me Rreg e Zbatimit te K Rrugor  V K M 153, viti 2000 nenet 25 dhe 28 te tij  pasi, cenohet siguria e lëvizjes ne rruge. Ky objekt është ndërtuar ne kundërshtim me kushtet teknike”, ka konkluduar prokuroria.

Hetimet kanë ardhur në përfundimin se kjo rrugë e harkuar në favorizim të subjektit me pozicionin që do të ndërtohej ky karburant, ka sjellë pasojë cënimin e sigurisë rrugore me pasoja të rënda për jetën në të paktën 16 (gjashtëmbëdhjetë) aksidente të evidentuara procedurialisht me pasojë të rënda për jetën e shtetasve vetëm në dy vjetë 2016 -2018.

Në këto aksidente me pasoja të rënda janë të përfshirë si përdorues rruge edhe këmbësorë, karroca etj, ndërsa i rrezikshëm dhe jo funksional është edhe mbikalimi i cili nuk është bërë sipas projektit dhe, e megjithatë është lejuar të funksionojë.

Prokuroria gjithashtu ka konkluduar se si rezultat i kundërligjshmërisë janë cënuar edhe interesat e shtetit pasi është bërë funksional një njësi shërbimi tregti karburanti me pakicë në kundërshtim me ligjin për sigurinë rrugore dhe ligjin për shpronësimin.