Lajme

Kandidatja e AAK’së për deputete: Partia ka nevojë për ndryshimin e kuadrove brenda, në nivel qendror e lokal

Florentina Gjergjaj, kandidate e AAK-së për Deputete, nuk ka arritur të bëhet deputete e partisë së Ramush Haradinajt, që në zgjedhjet e 14 shkurtit arrit të sigurojë vetëm 8 ulëse në Kuvend.

Gjergjaj, përmes facebook-u, ka treguar se në zgjedhje ka marrë besimin e 4315 votuesve të AAK-së, por se për 110 vota ka mbetur jashtë Kuvendit.

Megjithatë, ajo ka njoftuar se përkundër se deri më tani nuk ka qenë e involvuar direkt në strukturat e AAK-së, do të vazhdojë angazhimin e saj politik.

Ndaj, kandidatja e AAK’së nga Gjakova, ka theksuar se kjo parti ka nevojë për ndryshimin e kuadrove brenda saj, në nivel qendror dhe po ashtu atë lokal.

Ky është postimi i saj i plotë në facebook:

Të nderuar miq,

Në zgjedhjet e 14 Shkurtit kam marrë besimin e 4315 votuesve të Republikës së Kosovës. Megjithatë, sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, për vetëm 110 vota, nuk kam arritur të jem pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Ndihem e lumtur për këtë përkrahje, për faktin se bashkë me ju kemi bërë një garë të sinqertë, mbi parimet e profesionalizmit, të shkëmbimit të ideve dhe të diskutimit të problematikave jetësore dhe planeve për një të ardhme më të mirë për vendin.

Unë asnjëherë në jetën time nuk kam pasur funksion brenda partisë apo në institucione, të falur nga askush, por të fituar me profesionalizëm dhe falë mbështetjes tuaj. Edhe gjatë fushatës nuk kam tentuar të blej apo ‘kontrabandojë’ besimin tuaj.

Ajo çka me brengosë tani e tutje është si mundem ta shpërblej besimin tuaj të dhënë përmes votës. Si Florentinë, një gjë ju premtoj, asnjëherë dhe në asnjë rast, në çfarëdo pozite politike apo profesionale që do të jem, nuk do të ndalem së punuari në interesin tuaj.

Zgjedhjet treguan se Aleanca ka nevojë për ndryshime të kuadrove brenda saj, si në nivelin lokal ashtu edhe qendror, në afat sa më të shpejtë, në mënyrë që t’i rikuperojmë humbjet në zgjedhjet e ardhshme.

Në këtë proces në të cilën jemi, nuk duhet të ndalemi së kërkuari rrugën e duhur për të ndryshuar. Në fund, dua të falënderoj edhe Kryetarin Ramush Haradinaj për besimin e dhënë, aktivistët e AAK-së, shoqërinë time, ish nxënësit mi, si dhe familjen time të cilët janë shtytja ime për të arriturat e mija të deritashme.

Faleminderit nga zemra, të gjithë juve që ma dhuruat besimin. Bashkë do të jemi edhe në procese të tjera!