Sport

Kandidati për president të Barcelonës synim kryesor ka mbajtjen e Messit

Kanditati për president të Barcelonës, Victor Font, thotë se është duke provuar që të rinovojë kontratën me yllin argjentinas, Lionel Messi. Font nuk do të japë deklarata të tjera rreth emrave të cilët mund t’ju bashkohen klubit spanjoll, pasi që nuk dëshiron të krijojë shpresa të rrejshme te tifozët.

Messi është zhvilluar si futbollist te Barcelona, derisa ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm. Është raportuar se Messi do të largohet, kurse interesim për të kanë shprehur Manchester City dhe Interi.

Raportohet se blaugranët do të hyjnë në garë për të afruar sulmuesin e Dortmundit, Erling Haaland, mirëpo Font thotë se klubi nuk ka fonde të mjaftueshme për të bërë një transferim të tillë.

“Është koha e fushatës, dhe është normale të dëgjojmë se shumë emra të popullarizuar mund t’i bashkohen klubit, mirëpo tifozët e dinë së nuk qëndron gjithçka te premtimet e bëra” shprehet Font për “Goal”.

Një tjetër lojtar që është përfolur edhe viteve të kaluara se mund të bëjë rikthim në ekipin e Barcelonës, është braziliani Neymar. Font, që është fans i 28-vjeçarit, thotë se mundësitë financiare janë të vogla për ta rikthyer brazilianin në Barcelonë.

“Neymari ishte ai që na la dhe vazhdon ta padisë klubin , mendoj se zgjedhja e tij është e qartë”, shtoi Font.