Lajme

“Kajmaku”/ PD: Rama burracak, fshihet pas vendimit të KQZ-së

Edi Rama duhet ta kishte shkarkuar menjëherë

Edi Rama duhet ta kishte shkarkuar menjëherë Agim Kajmakun e Vorës dhe s’ duhet të kishte pritur vendimin e KQZ-së. Kështu deklaroi sot Dhurata Çupi nga selia e PD-së. Në fakt kjo është një thirrje e përditshme e opozitës, për të cilën Edi Rama hesht. Nuk ka asnjë reagim nga Kryeministri i cili kandidoi Agim Kajmakun si kryebashkiak të Vorës, kur ai ishte person i shpallur në kërkim në shtetin fqinj. Pas denoncimit të PD-së, Prokuroria e Përgjithshme doli në përfundimin se Kajmaku është në kushtet e shkeljes së Ligjit të Dekreminalizimit. Prokuroria i ka kërkuar KQZ-së t’i heqë mandatin Kajmakut, vendim që pritet të merret nesër nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sakaq, PD-ja e akuzon Ramën se është vendosur në mbrojtje të Agim Kajmakut, i cili fshehu arrestimin në Greqi disa vjet më parë me emrin Jorgo Toto.

Deklarata e Dhurata Cupit:

Sot bëhen 3 ditë që Edi Rama është zyrtarisht në mbrojtje të Agim Kajmakut, i cili fshehu me qëllim arrestimin e tij në Greqi disa vjet më parë me emrin Jorgo Toto.

Edi Rama duhet ta kishte shkarkuar Agim Kajmakun që në momentin, kur prokuroria verifikoi zyrtarisht se ai kishte shkelur ligjin e dekriminalizimit, duke fshehur krimin për të cilin ishte arrestuar dhe ishte në kërkim në Greqi dhe në kërkim europian deri pak kohë më parë.

Duke mbajtur në detyrë një funksionar të lartë publik që shkel ligjin, që kryen vepra të rënda penale dhe mashtron qytetarët, Edi Rama tregon se antiligji është modeli i tij i qeverisjes.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Edi Rama ka qenë në mbrojtje të Agim Kajmakut, edhe pse e dinte se ai ishte subjekt i ligjit të dekriminalizimit. 3 javë më parë, Edi Rama e mbrojti atë edhe publikisht.

Qendrimi i Edi Ramës në mbrojtje të një funksionari publik që e ka vendin në burg dhe jo në krye të një bashkie, tregon se Edi Rama dhe Agim Kajmaku ndajnë të njëjtin moral. Për ta ligji nuk ka vlerë, kur cënon pushtetin e tyre.

Duke kandiduar persona me të kaluar kriminale, si në Shkodër, Vorë apo Vaun e Dejës, Edi Rama dëshmon se nuk ka ndërmend të marrë seriozisht plotësimin e 9 kushteve të Bundestagut, që është e vetmja rrugë për të hapur derën e mbyllur të Europës për të katërtën herë radhazi.

Marrja në mbrojtje e Agim Kajmakut, siç ka bërë më çdo kriminel tjetër që ka futur në politikë, dëshmon, gjithashtu, se Edi Rama as nuk ka bërë ndonjëherë shtet, as nuk ka ndërmend të respektojë shtetin ligjor. Në shtetin e Edi Ramës ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Njësoj si në “Fermën e kafshëve” të Orëellit, kriminelët e Edi Ramës, janë më të barabartë se qytetarët e zakonshëm. Ata janë të paprekshëm, veçanërisht nëse janë politikonë apo klientë biznesi të Edi Ramës.

Fshehja pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është një qendrim prej burracaku i Edi Ramës. Ai e di shumë mirë se, siç thotë Zëri i Amerikës, për Agim Kajmakun nuk ka shpëtim.

Edi Rama e di, po aq mirë, se shumë shpejt do t’i vijë radha edhe atij!


Etiketa: , , ,