Showbiz

“Ka lojëra të nëndheshme”, Rovena Dilo tregon prapaskenat e festivalit të RTSH-së

E ftuar mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Këndo këngën time” ishte këngëtarja e njohur Rovena Dilo, e cila ndër të tjera ka prekur edhe temën e shumëpërfolur të “Festivalit të RTSH-së”. Ndër vite “Festivali i RTSH-së” është përfolur se i ka zgjedhur më herët fituesit e tij dhe këtë e kanë pohuar personazhe të njohur të showbiz-it. Rovena konfirmoi në emision fjalët se në prapaskenë ka manovra për të shpallur fituesin, duke treguar konkretisht historinë e saj. Sipas “Vizionplus.tv”, Rovena tregoi se mori vlerësim maksimal nga Vaçe Zela kur konkurronte në Festivalin e RTSH-së, mirëpo ajo nuk doli në konkurrim në natën finale për shkak të lojërave të “nëndheshme” që zhvilloheshin aty. “Vaçe Zela kishte menduar të ma jepte mua vlerësimin maksimal, 20 pikë, si kryetare e jurisë, pasi si e tillë ajo jepte 20 pikë në raport me 10 pikë që jepnin anëtarët e tjerë. Ndërkohë siç duket, si në çdo festival që ka lojra të nëndheshme, unë nuk duhej të isha natën e fundit ndaj dhe nuk dola në konkurrim natën e fundit, duke mos prishur punë të klaneve të caktuara që ekzistonin dhe vazhdojnë të ekzistojnë. Këngët e mira gjithmonë vlerësohen, dhe këngëtarët e mirë gjithmonë mbeten.”- rrëfeu Rovena Dilo. Megjithatë, këtë vit “Festivali i RTSH-së” do të vijë tërësisht ndryshe, pasi do të jetë në drejtimin e dyshes së njohur të ekranit, Vera Grabockës dhe Alketa Vejsiut.