Opinione

Jubile më tepër kritik se festiv

9 Nëntori i tanishëm shënon 30-vjetorin e s

9 Nëntori i tanishëm shënon 30-vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit e bashkë me të dhe të «Perdes së Hekurt». Gjatë kësaj jave përmbyllëse të jubileut të madh në Berlin do të zhvillohen 200 veprimtari të larmishme festive; koncerte aty ku filloi ky proces historik në Portat historike të Brandeburgut,  ekspozita, konferenca, seminare, pamje të dixhitalizuara të 156 km të Murit famëkeq të ndërtuar më 13 Gusht 1961, vizita në Muzeun e tij, «  Maratona sportive e Murit » etj.

Gjithsesi, më shumë se fishekzjarre dhe ngjyra festive në jubileun e tanishëm në Berlin ka tone kritike. Atmosferën e përvjetorëve të mëparshëm tejet festive e kam përjetuar më 2004 si diplomat në Ambasadën tonë në Berlin dhe më 2009 kur po i jepja dorën e  fundit librit «Berlini pa mure»; për më tepër, 15 Vjetori i shembjes së Murit përkoi dhe me anëtarësimin e 10 vendeve ish-lindore  në BE. Më vonë gjërat erdhën duke u ftohur për shkak të rrjedhës negative të ngjarjeve dhe krizave të shumta, të cilat pas vitit 2015  prekën dhe  Gjermaninë. Si për ironi të fatit, në zgjedhjet vendore në dy lande ish-lindore më 1 Shtator dhe në  Tyringen më 27 Tetor, partia ish-komuniste që ngriti Murin doli e para me 30 për qind të votave; por e keqja nuk mbaron këtu; sepse në të tre ato lande ish-lindore, e dyta doli me 25 për qind partia ekstremiste » Alternativa për Gjermaninë »( AfD) e themeluar katër vjet më parë; duke lënë pas CDU-në e ribashkimit Kohl/Merkel dhe duke  poshtëruar SPD-në  anti-mur të Willy Brandt me vetëm 8 për qind në Tyringen. Përshkallëzimi i ndjeshëm i terrorit neonazist, populizmit, anti-semitizmit me kërcënime por dhe viktima të shumta njerëzore në mes të Berlinit dhe gjetkë  në Gjermani e në Evropë po ngrenë mure dhe bunkerë të rinj ndarës, po aq, në mos më të rrezikshëm se ai i Berlinit.

Këto dhe të tjera tendenca negative janë konfirmuar së fundmi në Raportin e Qendrës Gjermane të Kërkimeve për Integrim dhe Migrim, mbi bazën e intervistimeve të  7233 personave mbi 14 vjeç  në pjesën ish – lindore. Kështu,  26,5 për qind e “ Ossit”, siç njihen gjerësisht ish-lindorët kanë nivelin më të ulët të pagave kundrejt 18,8 në perëndim. Paga të larta marrin vetëm 8,9 për qind e ish -gjermanolindorëve kundrejt 13,2 për qind në perëndim. Paga mesatare në pjesën perendimore ishte 36.088 nga 31.242 Euro në ish-lindjen komuniste ose gati 5.000 Euro më e lartë. Po ashtu, Raporti më i fundit i Agjencisë Federale të Punës i datës 5 Gusht 2019 tregon se 60 qendrat dhe komunat gjermane  me të ardhurat më të ulta ndodhen në pjesën ish lindore. Më tej, nga 25 institucione të reja të krijuara në Gjermani vitet e fundit, vetëm 5 i takojnë lindjes, ndonëse ajo ka 20 milion banorë dhe 6 nga 16 landet gjermane.

Dallim tjetër i madh është se vetëm 1,7 për qind e ish-gjermanolindorëve mbajnë pozicione të larta drejtuese në jetën e vendit. Ndaj, nëpërmjet të të ashtuquajturave «Ost quota» synohet që pjesa e tyre  të shkojë deri në të paktën 7 – 10 për qind. Në vitin 2017, nga 109 drejtorë në dikasteret qendrore gjermane, vetëm 4 ishin nga ish- lindja.  Dhe më keq paraqitet gjendja me rektorët  e universiteteve, ku nuk ka qoftë dhe një të vetëm nga pjesa ish-lindore!  Ndërsa lidhur me nivelin e ekselencës të universiteteve  gjermane, sipas raportit të Qendrës Kërkimore të Universitetit të Lirë të Berlinit, Korrik 2019, nga 14 universitete « ekselente » nga ish-lindja ishte vetëm një, ai i Dresdenit !

Këto dallime i ka përshkruar me hollësi edhe psikologu&publicisti i njohur, Stephan Grünewald në librin e tij të botuar gjatë këtij viti “Was tickt Deutschland“ ( Ç’po ndodh me Gjermaninë?) Ndër të tjera ai thekson se nëse deri 30 vite më parë vendi ishte ndarë më dysh në  «ne dhe ata» tani kjo ndarje ka përfshirë gjithë shoqërinë gjermane në aspekte dhe dimensione të ndryshme. Grünewald pohon me dhimbje se « shpesh ndihemi si refugjatë në vendin tonë dhe si qytetarë të klasit të dytë»

Në një dokumentar të shfaqur më 5 Prill 2019 në Televizionin publik gjerman» ZDF » mbi rrugëtimin e tij, ish-presidenti gjerman Joachim Gauck, ish pastor dhe  ndër aktivistët më të shquar të lëvizjes qytetare në lindje që çoi në rrëzimin e Murit të Berlinit pohon se këto dallime nuk janë vetëm midis ish – lindjes dhe perëndimit gjerman, por dhe vetë brenda ish-lindjes! Ndërsa një personazhi tjetër tha se  shumë gjermanë njohin më mirë lindjen amerikane se atë gjermane! Ndaj, për  t’i «  shkelur » dhe njohur në vend të gjashtë landet ish-lindore, në muajin Gusht 2019, Kryeministri i  Nord Rhein Westfalisë, Armin Laschet ndërmori nismën për një partneritet të rinisë shkollore dhe studentore me bashkëmoshatarët lindorë. Në këtë kuadër, më 13 Gusht, në 58 Vjetorin e ngritjes së Murit të Berlinit,  grupe nxënësish nga qytetet Essen, Bon dhe Düsseldorf organizuan ekskursione mësimore dhe qëndrime disaditore në pjesën lindore, duke filluar nga Potsdam, me logon «  Potsdami në vend të Parisit » Kjo nismë po shtrihet dhe në lande të tjera si një ndër hapat dhe projektet e shumta në vigjilje të 30 vjetorit të shembjes së Murit të Berlinit për ngushtimin e hendeqeve të lartpërmendura.

Këto fenomene negative  i ka konfirmuar edhe studimi  i kryer në Prill – Maj 2019 nga Fondacioni «  Friedrich Ebert » dhe Universiteti i Bonit, në drejtimin e politologut të mirënjohur, Prof. Dr. Frank Decker. Ky studim tregon se  në ish – lindjen gjermane janë të kënaqur me demokracinë  vetëm 36 për qind e popullsisë nga 49 për qind  në perëndim! Sipas Frank Decker, « shumica e popullsisë ish- lindore nuk ka hyrë ende në sistemin demokratik »  Dhe më shqetësues është fakti se e 2/3 e gjermanëve janë të mendimit se e ardhmja e tyre  do të jetë dhe më e zymtë.

Për pasojë, është tkurrur ndjeshëm besimi i zgjedhësve te institucionet shtetërore, drejtësia e sidomos te politika. Sipas  anketimeve serioze, nivelin më të ulët të besueshmërisë e kanë partitë politike me 23 për qind, ku social – demokratët  janë në në fund të renditjes. Kjo përputhet me realitetin e sotëm të zymtë të kësaj partie mbi 150 vjeçare e cila ka drejtuar vendin me  tre kancelarë të njohur, por që në sondazhet e fundit ka rënë në 10 për qind dhe rrezikohet dhe më tej. Fatkeqësi politike që partia më e madhe social-demokrate në Evropë që ka bërë aq shumë për demokracinë dhe ngritjen e urave bashkuese, tashmë po ndahet nga zgjedhësit me një mur më të lartë e më të gjatë se ai i Berlinit. Ndaj, në pjesët ish-lindore, me përjashtim të Berlinit, por dhe aty në koalicion me ish komunistët, në pushtet nuk kanë qenë  as social-demokratët dhe as qendra e djathtë, por pasardhësit e Partisë Komuniste të ish-RDGJ-së.

Siç treguam në fillim të shkrimit, tashmë atje është rritur ndjeshëm me pretendime për të ardhur në pushtet pjesa që po ze «AfD-ja,  e cila përbëhet në masën 75 për qind nga ekstremistë të djathtë. Ajo u fut për herë të parë në Bundestag në zgjedhjet e shtatorit 2017 me plot 93 deputetë, dhe tani është e dyta në landet ish-lindore. Të zhgënjyer nga partitë e tyre, edhe një numër i madh militantësh të  CDU-së dhe SPD-së janë larguar prej andej për t’u anëtarësuar në AfD. Ja që dhe në Gjermaninë demokratike ndodh si te shprehja «për inat të sime vjehrre, shkon të flesh me millonanë» U vërtetua kështu paralajmërimi i presidentit gjerman Walter Steienmeir 10 vjet më parë se “ shembja e Murit të Berlinit nuk do parë si pika fundore, por si fillimi i  një udhëtimi të gjatë”

Këto dhe të tjera fakte dëshmojnë qartë se demokracia, shteti i të drejtës dhe në përgjithësi shembja e mureve e gardheve  mbetet « unfinished business » ose « punë e pambaruar » për Gjermaninë, BE-në dhe vende të tjera. Në këto « ujëra noton » dhe Shqipëria, e cila me gjithë arritjet, 30 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit nuk ka çelur ende negociatat e anëtarësimit me BE-në.

Shqetësimet  e lartpërmendura i konfirmon dhe një raport i Ministrisë së Brendshme Federale Gjermane, ku nënvizohet  se ka ardhur koha për një vlerësim më objektiv të periudhës 30 vjeçare pas shembjes së Murit. Për këtë qëllim në programin e  veprimtarive për vitin e ardhshëm, me rastin e 30 vjetorit të ribashkimit gjerman ( 3 Tetor 1990 ) është planifikuar dhe një dialog i gjerë me qytetarët lidhur me  ndjeshmëritë/pritshmëritë  e tyre për efektet reale dhe konkrete të këtij ribashkimi; ndryshe, siç përmendet në këtë raport, tensionet politike, sociale dhe ekonomike ndërmjet shtresave të ndryshme të popullsisë do të vazhdojnë më tej. Atëherë dhe shembja e Murit të Berlinit me rrjedhojat e tij epokale do të mbetej një kujtim i largët dhe i trishtë.

 

Burimi: http://www.gsh.al