Bota Lajme

Italia drejt ashpërsimit të masave ndaj COVID-19, rekomandohet izolim në fundjavë

Italia po shkon drejt një ashpërsimi të masave për të luftuar pandeminë koronavirus.

Komiteti tekniko-shkencor rekomandoi qeverinë që të shtojë kufizimet dhe të vendosë një izolim në fundjavë, njëjtë si gjatë pushimeve për Krishtlindje.

Kjo vjen pas përkeqësimit të situatës epidemiologjike, teksa niveli i përhapjes së COVID-19 mbetet shumë i lartë.

Që prej nisjes së pandemisë, janë infektuar 3.1 milionë persona dhe mbi 100 mijë kanë humbur jetën.

Për momentin nuk është propozuar një izolim i ri kombëtar.

Rekomandimet e komitetit tekniko-shkencor do të shqyrtohen nga qeveria italiane gjatë ditëve në vijim.

Ndërsa kërkohet që të zgjerohet dhe përshpejtohet fushata e vaksinimit ndaj koronavirusit, si dhe gjurmimi i varianteve të reja.