Lajme

“Isha në luftë për jetë”, lirohet nga spitali kryetari i Preshevës

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka bërë të ditur se pas disa ditëve që ka qenë i shtrirë në spital, tani është shëruar nga COVID-19 dhe i është kthyer përsëri familjes së tij.

Arifi përmes një postimi në Facebook është shprehur se e ka kaluar këtë sfidë shëndetësore si kurrë më parë, dhe sipas tij, ishte një konfrontim dhe luftë për jetë a vdekje.

Reklamo bizensin tuaj ketu

“Së pari jam falënderues Zotit, krijuesit të Gjithësisë që më ka dhënë mundësinë të kthehem përsëri pranë fëmijëve, prindërve dhe bashkëshortes sime, gjithashtu përkulem ndaj tij për përkujtimin që ne jemi vetëm përkohësisht në këtë botë, ndërsa këtë fakt të pakundërshtueshëm duhet ta shfrytëzojmë që të jemi në shërbim të vendit, shoqërisë e popullit tonë”, ka shkruar ai.

Arifi po ashtu është shprehur i bindur se do të tejkalohet edhe kjo betejë me COVID-19.

“Jam tejet i shqetësuar me zhvillimet e fundit në vend dhe rajon lidhur me situatën fragjile dhe sfidat e rënda me pandeminë globale Covid-19. Në këtë kontekst më lejoni t`ju përkujtoj (edhe njëherë) se në këtë situatë të jashtëzakonshme kërkohet një ndenjë e përgjegjësisë, disiplinës dhe solidaritetit shoqëror”, shtoi ndër të tjera ai.