Lajme

Ish-mësuesi e paditi Komunën e Malishevës, kjo e fundit thotë se s’ka para për kompensim

Sot në Gjykatën Themelore të Gjakovës është mbajtur seanca për rastin ku Ahmet Tredhaku po kërkon nga Komuna e Malishevës kompensimin e shujtave ditore.

Haki Kryeziu, avokat i Tredhakut ka insistuar që klientit të tij t’i paguhen shujtat ditore sipas Kontratës Kolektive prej datës së hyrjes në fuqi të kësaj kontrate e deri më datën e pensionimit të paditësit.

Në anën tjetër, avokati i Komunës, Mujë Sahitaj ka deklaruar se e konteston padinë dhe kërkesëpadinë e Tredhakut si të pa bazuar. Si arsyetim ka dhënë se Komuna e Malishevës nuk mjete buxhetore të planifikuara për këtë kategori.

Pas deklarimeve të palëve, gjyqtari i çështjes, Nehat Qelaj ka marrë vendim që seanca e shqyrtimit kryesor të caktohet për 4 nëntor, në orën 09:00.

Sipas padisë, Ahmet Tredhaku deri më datën 2 prill 2020, ku i është ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të pensionimit ka qenë mësimdhënës klasor në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët (SHFMU), “Emin Duraku” në fshatin Dragobil të Malishevës.

Paditësi thotë se kërkesën e tij e ka bërë në bazë të Kontratës Kolektive të Arsimit në Kosovë. Sipas kësaj kontrate, punëtorët e arsimit gëzojnë të drejtën më nga një shujtë ditore në vlerë prej dy euro gjatë ditëve të punës.